Për shkak të grevës së kirurgëve 200 operacione në ditë anulohen në klinikat e QKUK-së. Aktualisht po trajtohen vetëm rastet emergjente.
Deri në 200 operacione për raste jo emergjente po anulohen cdo ditë në klinikat e QKUK-së dhe Spitalet Rajonale, si pasojë e grevës që po mbahet nga kirurgët e SHSKUS-së. Përfaqësuesi i grevistëve, kirurgu Arbër Morina, thotë se po trajtohen të gjitha rastet emergjente, por jo edhe ato jo emergjente.
“Të gjitha patologjitë që nuk kërcënojnë jetën e pacientit, shtyhen për një stad të mëvonshëm derisa të ndërpritet greva. Kjo ka të bëjë me 100 deri në 200 pacientë në ditë”, deklaroi për RTV Dukagjinin Arbër Morina.
Pacientët të cilët janë trajtuar si raste emergjente, shprehen se kanë marrë shërbimet e nevojshme dhe se nuk kanë pasur ndonjë problem.
“Si rast emergjent më kanë pranuar menjëherë dhe më kanë operuar”, shprehet pacienti.
“Kam pasur dhimbje në fundin e barkut për shkak të zorrës qorre. Kam qenë rast emergjent dhe kanë intervenua menjëherë. Nuk më kanë lënë në pritje”, shprehet pacientja.
“Kam qenë rast urgjent prej zorrës qorre. Edhe pse kanë qenë në grevë prapë rasti im është trajtuar në mënyrë shumë të mirë”, shprehet pacientja tjetër
Ndërsa, zëdhënësi i SHSKUK-së Shpend Fazliu përmes një përgjigje elektronike ka thënë se: Puna dhe operacionet janë kryer normalisht, përfshirë edhe rastet jo emergjente në Klinikën e Gjinekologjisë, Klinikën Vaskulare, Oftamologjisë, ORL, Kirurgji Makillofaciale dhe Neurokirurgji.
Por, sipas kirurgut Arbër Morina, rastet jo emergjente nuk po kryhen në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale, Kirurgjinë Torakale, Kirurgjinë Plastike në Spitalin Rajonal të Gjakovës, Gjilanit dhe Mitrovicës. Në grevë janë duke marrë pjesë 157 kirurgë. /RTV Dukagjini/Telegrafi/