Site icon Telegrafi

Greta Thunberg refuzon çmimin mjedisor dhe 52,000 dollarë – tregon edhe arsyen

Greta Thunberg ka refuzuar një çmim mjedisor dhe paratë sepse, sipas saj, “lëvizja klimatike nuk ka nevojë për më shumë çmime”.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ajo ka thënë se çmimi ishte një “nder i madh” dhe falënderoi Këshillin Nordik, i cili tha se respektonte vendimin e saj.

“Unë kam marrë çmimin mjedisor të Këshillit Nordik 2019. Kam vendosur ta refuzoj këtë çmim. Ja pse: Unë aktualisht po udhëtoj nëpër Kaliforni dhe për këtë arsye nuk jam në gjendje të jem e pranishme sot me ju. Dua të falënderoj Këshillin Nordik për këtë çmim. Është një nder i madh. Por lëvizja klimatike nuk ka nevojë për më shumë çmime. Ajo që na duhet është që politikanët tanë dhe njerëzit në pushtet fillojnë të dëgjojnë shkencën aktuale, më të mirën në dispozicion”, ka shkruar ajo ndër tjerash në një postim në Instagram.

Këshilli Nordik shpërndan çmime vjetore për letërsinë, letërsinë e të rinjve, filmin, muzikën dhe mjedisin, secila me vlerë 350,000 koronë danez (52,000 dollarë).

Ndryshe, Thunberg ishte favoritja e këtij viti për të fituar Çmimin Nobel për Paqen, por çmimi i shkoi Abiy Ahmedit të Etiopisë.

Lexo po ashtu Kur ishte 11 vjeçe, ajo ndaloi së ngrëni për dy muaj të plotë: Rrëfimi për jetën e vështirë të Greta Thunberg, adoleshentes që po u jep mësim për klimën, politikanëve botërorë

Ajo, siç bëhet e ditur tutje, i është referuar një raporti i cili thotë se Suedia, së bashku me pjesën më të madhe të rajonit Nordik, jeton sikur bota të ketë burime për katër planete.

“Ne i përkasim vendeve që kanë mundësinë të bëjnë më shumë. E megjithatë vendet tona ende nuk bëjnë asgjë”, ka shtuar ajo.

Ndërkohë, presidenti i Këshillit Nordik, Hans Wallmark, ka thënë se organizata respekton vendimin e Greta Thunberg dhe e quajti lëvizjen e saj “një kauzë të mirë për të gjithë”.

Ai tha se Këshilli – i cili inkurajon bashkëpunimin midis parlamenteve në vende përfshirë Danimarkën, Finlandën dhe vendlindjen e zonjës Thunberg, Suedinë – do të mendojë me kujdes se çfarë të bëjë me paratë e çmimit. /Telegrafi/

Exit mobile version