Site icon Telegrafi

Grenell thotë se Smith e ngriti aktakuzën ndaj Thaçit, pasi kishte marrë informata të ndjeshme nga një zyrtar amerikan

Emisari amerikan për Misione të Veçanta, Richard Grenell, në një postim në rrjetin social “X”, ka shkruar përsëri për prokurorin amerikan, Jack Smith dhe aktakuzën që ai ka ngritur në vitin 2020 ndaj ish-presidentit Hashim Thaçit.

Grenell ka përmendur Bruce Schwartzin, një zyrtar amerikan, të cilit Grenell thotë se i kishte treguar privatisht informacione për negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në reagimin e tij, Grenell thotë se Schwartz “ka minuar Donald Trumpin dhe politikën e Jashtme”, duke i ndarë ato informacione me prokurorin amerikan, Jack Smith, dhe shton se ky i fundit “ka ngritur aktakuzë ndaj Thaçit për atë arsye”.

Sipas Grenellit, ai duhet të hetohet dhe të ndiqet penalisht.

Ndryshe, në maj të vitit 2018, Smith ishte emëruar Prokuror i Specializuar në Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë, Holandë dhe ka marrë funksionet e tij për të hetuar krimet e pretenduara të luftës në Kosovë, në shtator 2018.

Smith është prokurori që i akuzoi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen ende në Hagë.

Më herët ish i dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, kishte folur për prokurorin Smith dhe lirimin e ish-presidentit Hashim Thaçi.

Thaçi po mbahet në paraburgim që nga viti 2020./Telegrafi/

Exit mobile version