Ish-emisari amerikan për bisedimet Kosovë –Serbi, Richard Grenell është përfshirë sërish në çështjet e Kosovës, konkretisht në reagimet e Gjermanisë për zhvillimet e fundit në vendin tonë.
Grenell ka mbështetur deklaratën e ambasadorit gjerman Jorn Rohde lidhur me mbylljen e komunave paralele të Serbisë, ku ambasadori gjerman tha se veprimet e njëanshme të Kosovës “vetëm sa i hedhin benzinë zjarrit”.
Ish-emisari amerikan në një postim në “X” derisa i ka ofruar mbështetje ambasadorit Rohde ka kritikuar kryetarin e Komisionit për Politikë të Jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth, shkruan Telegrafi.
“Ambasadori gjerman në Kosovë po e turpëron publikisht socialistin gjerman Michael Roth mbi veprimet e Kurtit. Ti e di që është keq për Albin Kurtit kur humb zyrtarët gjermanë në vendin e tij”, ka shkruar Grenell.
E ndaj kësaj deklarate ka reaguar Roth i cili e ka quajtur Grenellin shok të Trump-it dhe Vuçiqit.
“Surprizë, surprizë, shoku i Trump dhe Vuçiq është kthyer…”, ka shkruar Roth.
Roth të dielën kritikoi ambasadorin amerikan Jeff Hovenier, për deklaratën e lëshuar për zhvillimet e fundit në Kosovë.
Sipas tij, në këtë deklaratë të SHBA-së do duhej të kishte mesazhe të qarta për sulmin terrorist serb në Banjskë.
“Një shembull tjetër për deklaratat e pabalancuara të SHBA-së (ose BE-së) për Kosovën. Më mungojnë mesazhe kaq të qarta në lidhje me agresionet serbe (sulm terrorist në Bajnska, rrëmbim apo shantazh) në rajon”, shkroi Roth. /Telegrafi/
Surprise, surprise, Trump‘s and Vucic‘s buddy is back… https://t.co/GikJYh6vf8
— Michael Roth – official 🇪🇺🇺🇦🇮🇱🇬🇪 (@MiRo_SPD) February 5, 2024