Puna e palodhur e tyre tani po jep frytet e saj. Gratë e Qendrës për Mirëqenie në Pejë, kanë marrë iniciativë të krijojnë punime dore dhe më pas t’i ofrojnë ato për qytetarët, duke hapur një dyqan me produktet e tyre në këtë qytet.
Ky objekt që i ka shtuar edhe më shumë bukuri Pejës, ofron punime nga më të ndryshmet, në të cilën posa të hysh të bie në sy punimi i vizatuar në xhamat e këtij dyqani që portretizon forcën e gruas e cila mban mbi supe tërë shtëpinë.
Duke vazhduar pastaj me punimet e bëra me grep e deri tek ato me pajise të vjetra siç është ajo e vekut.
Llojllojshmëria e ngjyrave, vendit i japin aromë shprese për këto gra të cilave 30% nga shtija e këtyre produkteve do të shkojnë në ndihmë të tyre.
Për Telegrafin, drejtoresha për Mirëqenien e Gruas në Pejë, Ardita Ramizi Bala, ka thënë se ky projekt është bërë për t’i mundësuar grave shitjen e produkteve me qëllim të ngritjes së integritetit të tyre.
“Qendra për Mirëqenien e Gruas është organizatë e cila punon në parandalimin e dhunës në baza gjinore dhe në ofrimin e shërbimeve si strehimi apo shërbimet tjera të cilat i kanë gratë, viktimat e dhunës. Njëra ndër pikat kryesore është edhe integrimi i tyre andaj ky ka qenë ideja që gratë të cilat punojnë punë të ndryshme duke filluar nga çajrat e bimëve mjekuese, punëdores dhe gjërave të ndryshme me pas një vend ku me i shitë ato produkte, andaj edhe ka dalë realizimi i këtij projekti”, ka deklaruar Bala për Telegrafin.
Sipas Ramizi-Bala, ky projekt është pritur mjaft mirë edhe pse është ende në fillimet e saj. Ajo shton se interesimi qytetarëve për “Peja Shop”, po rritet dita e ditës dhe kjo gjë është mirëpritur mjaft mirë edhe nga gratë e strehimores në Pejë.
“Po duket që është prit shumë mirë, meqenëse është vetëm fillimi, ende nuk i kemi një muaj të plotë por ka interesim. Qëllimi i krijimit të këtij dyqani ka qenë që gratë me pas një vend një pikë referuese ku ato mund t’i shesin produktet e tyre andaj ka qenë shumë e mirëpritur për të gjitha gratë”, është shprehur ajo.
Mbështetje të madhe për këtë projekt, Ramizi Bala për Telegrafin ka thënë se e kanë marrë nga Komuna e Pejës dhe financuar nga Banka Botërore e cila është bërë nëpërmjet fondeve të Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal.
“Ky projekti është financuar nga Banka Botërore nëpërmjet fondeve të MAPL-së dhe komunës së Pejës dhe produkti final është ky dyqan ‘Peja shop’, e cila bënë shitjen e produkteve të grave”, ka përfunduar Ramizi-Bala.
Vlen të përmendet se “Peja shop”, gjendet në qendër të Pejës, afër Shtëpisë së Kulturës, ku qytetarët kanë mundësi ta vizitojnë dhe të njihen për së afërmi me punimet e tyre. /Telegrafi/