Grupi parlamentar i SPD-së së Bundestagut gjerman më 7 shkurt ka miratuar dokumentin në mbështetje të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Kështu ka bërë të ditur deputeti gjermano-kroat, Josip Juratoviq, anëtar i SPD-së.
Ai në një postim në Twitter shkruan se grupi parlamentar i socialdemokratëve gjermanë riafirmon objektivin e anëtarësimit të plotë në BE për Kosovën, Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë e Hercegovinën dhe Serbinë.
“Akterët nacionalistë në terren kanë përfituar nga qëndrimi hezitues i BE-së, duke nxitur konfliktet etnike me qëllim që të përvetësojnë strukturat dhe burimet shtetërore dhe kështu të minojnë përparimin në demokraci dhe shtetin e së drejtës”, shkruan deputeti gjerman, raporton Telegrafi.
Heute haben wir in der SPD-Bundestagsfraktion das Positionspapier „Die Westbalkanstaaten auf ihrem Weg in die Europäische Union unterstützen“ beschlossen. (1/6) pic.twitter.com/Zznq4IT8Og
— Josip Juratovic MdB (@josip_juratovic) February 7, 2023
Ai më tej thekson se tri parime janë tashmë në fokus: demokracia në vend të stabilitetit, akomodimi dhe kushtëzimi në procesin e anëtarësimit dhe promovimi i bashkëpunimit rajonal.
Juratoviq, anëtar i SPD-së thotë se kancelari Scholz ka sjellë dinamikë të re në rajon dhe duhet të shfrytëzohet kjo mundësi për të përmbushur përgjegjësinë ndaj banorëve të Ballkanit Perëndimor që ushqejnë ëndrrën evropiane për një jetë në paqe, siguri dhe prosperitet.
“Është gjithashtu në interesin tonë si evropianë që të mos e lëmë Ballkanin Perëndimor të varet në tensionin e konflikteve gjeopolitike, por t’i integrojmë në mesin tonë”, shkruan Juratoviq. /Telegrafi/