Kreu i Hezbollahut, Naim Qassem ka njoftuar se grupi i armatosur libanez ka humbur rrugën e furnizimit përmes Sirisë, në komentet e tij të para që nga përmbysja e presidentit sirian Bashar al-Assad gati një javë më parë nga një ofensivë gjithëpërfshirëse rebele.
Bëhet e ditur se nën Assadin, Hezbollahu i mbështetur nga Irani përdori Sirinë për të siguruar armë dhe pajisje të tjera ushtarake nga Irani, përmes Irakut dhe Sirisë dhe në Liban.
Por më 6 dhjetor, luftëtarët anti-Assad e bllokuan atë rrugë dhe dy ditë më vonë rebelët pushtuan Damaskun.
“Po, Hezbollahu ka humbur rrugën e furnizimit ushtarak përmes Sirisë në këtë fazë”, tha Qassem në një fjalim televiziv, pa përmendur emrin e Assadit, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
“Një regjim i ri mund të vijë dhe kjo rrugë mund të kthehet në normalitet, dhe ne mund të kërkojmë mënyra të tjera”, shtoi ai.
Ndryshe, Hezbollahu filloi të ndërhynte në Siri në vitin 2013 për të ndihmuar Assadin të luftonte rebelët që kërkonin ta rrëzonin atë në atë kohë.
Javën e kaluar, ndërsa rebelët iu afruan Damaskut, grupi dërgoi oficerë për të mbikëqyrur tërheqjen e luftëtarëve të tij atje.
Tani qeveria e Assadit është zëvendësuar me një qeveri të përkohshme kalimtare të vendosur nga Hayat Tahrir al-Sham, një ish-degë e Al -Kaedas që udhëhoqi ofensivën rebele.
Qassem tha se Hezbollahu “nuk mund t’i gjykojë këto forca të reja derisa ato të stabilizohen” dhe “të marrin pozicione të qarta”, por tha se shpreson që popujt dhe qeveritë libaneze dhe siriane të mund të vazhdojnë të bashkëpunojnë.
“Ne gjithashtu shpresojmë që kjo parti e re në pushtet do ta konsiderojë Izraelin armik dhe nuk do të normalizojë marrëdhëniet me të”, tha Qassem. /Telegrafi/