Gjashtë anëtarë të një grupi të strukturuar kriminalë nga Shqipëria dhe Kosova janë vënë në pranga nga policia, në kuadër të operacionit të koduar policorë “Njësia”.
Ky grup kriminal ishte i specializuar në falsifikimin e dokumenteve me qëllim shitjen, teksa në operacion mori pjesë dhe Njësia e Përbashkët të Investigimit me ShBA-në.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit K. D., 35 vjeç, banues në Tiranë, K. G., 57 vjeç, banues në Prizren, dhe G. L., 28 vjeç, banues në Kaçanik. Gjithashtu, u ndaluan me iniciativë shtetasit K. D., 56 vjeç, L. B., 58 vjeç dhe E. D., 20 vjeçe, të tre banues në Tiranë.
Nga hetimi ka rezultuar se këta shtetas, të organizuar si grup, falsifikonin dokumente të ndryshme, me qëllim shitjen shtetasve që synonin të lëviznin ilegalisht, drejt shteteve që kërkojnë viza.
Gjatë këtij operacioni, u sekuestruan me cilësinë e provës materiale: 3 pasaporta dhe 3 karta identiteti amerikane; 2 pasaporta, 2 karta identiteti dhe 1 leje drejtimi italiane; 1 pasaportë dhe 1 leje drejtimi angleze; 1 leje drejtimi rumune; 1 kartë identiteti shqiptare.
Së bashku me dokumentet e dyshuara të falsifikuara u sekuestruan 7 celularë dhe 1 motomjet.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. /Telegrafi/