Site icon Telegrafi

Gliha për ndeshjen ndaj Zvicrës: Do të jetë një ndeshje e vështirë, duam të marrim sa më shumë pikë

Përzgjedhësi  i Kosovës, Primozh Gliha, e ka vlerësuar si tejet të vështirë ndeshjen ndaj Zvicrës, por ai ka shtuar se “Dardanët” do të dalin në fushë për rezultat pozitiv.

Në konferencën për shtyp të mbajtur të premten mbrëma, Gliha ka thënë se janë përgatitur për ndeshje duke marr parasysh se Zvicra është ekip i fortë.

“Dardanët” në këtë ndeshje futen pas fitores 1-0 ndaj Izraelit në Prishtinë të dielën.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë. Edhe pse në Prishtinë luajtëm baras, ishte një ndeshje shumë e fortë. Ne e mposhtëm Izraelin, por izraelitët treguan se janë të fortë pasi barazuan me Zvicrën”, ka thënë Gliha.

Sipas tij, presion nuk do të ketë vetëm Zvicra por edhe Kosova, pasi pritet të ketë përkrahje të madhe nga tribunat.

“Presioni do të jetë shumë i madh pasi do të kemi përkrahje të madhe të publikut. Nëse duam të arrijmë rezultat pozitiv, duhet të jemi shumë inteligjentë dhe të dimë si të luajmë, sepse kemi të bëjmë me një kundërshtar shumë të fortë”.

“Kur ka situata si kjo te Zvicra është shumë rrezik, sepse ekipi bëhet edhe më i fortë dhe pritet të reagojë. Pra, do të jetë tepër vështirë”, nënvizoi Gliha.

Përkundër që Kosovës ende nuk i janë shuar përfundimisht shpresat për kualifikim në “Euro 2024”, Gliha tha se synimi është vendi i tretë në grup. Fokusi i tij është vetëm te ndeshja me Zvicrën.

“Duhet të kemi parasysh situatën sepse kur kam ardhur ishim në situatë shumë të vështirë, por duhet të falënderojmë lojtarët për ata që kanë bërë pasi kemi fituar disa pikë të rëndësishme. Ndërsa, tani jemi në një situatë ku kemi pak gjasa dhe mbase duhet ta synojmë vendin e tretë. Por, kjo nuk ndryshon asgjë pasi jam shumë i fokusuar te ndeshja me Zvicrën sikurse ndaj çdo kundërshtari tjetër”, u shpreh Gliha. /Telegrafi/

Exit mobile version