Me gjyshen përdore dhe gjithë familjen pranë - Lamine Yamal rinovon me Barcelonën deri në vitin 2031
Këtë herë, po. Me të gjithë familjen pranë, ashtu siç kishte ëndërruar, Lamine Yamal finalizoi zyrtarisht rinovimin e kontratës me Barcelonën deri në vitin 2031 – për herë të dytë – në zyrat e Spotify Camp Nou.
Herën e parë, më 27 maj, disa nga njerëzit më të rëndësishëm për të mungonin: gjyshja nga babai, Fátima, e cila ndodhej në udhëtim, si dhe vëllai i tij i vogël, Keyne.
Por këtë herë, ylli i ri i Barçës u paraqit dorë për dore me të dhe organizoi një ngjarje me karakter më familjar dhe emocional.
Një ceremoni e veçantë me gjithë simbolikën që meritonte
Pas stërvitjes së tretë parasezonale në Ciutat Esportiva, pasditen e së mërkurës më 16 korrik, u zhvillua sesioni zyrtar fotografik me presidentin Joan Laporta, duke shënuar edhe zyrtarizimin e kontratës së re, e aktivizuar me mbushjen e moshës madhore më 13 korrik.
Në ceremoni ishin të pranishëm babai i tij, Mounir Nasraoui, dhe nëna e tij, Sheila Ebana, si dhe figura të rëndësishme të klubit: presidenti Laporta, drejtori sportiv Deco dhe koordinatori i sekretariatit teknik Bojan Krkic.
Gjyshja Fátima – shtylla e familjes
Pjesëmarrja e gjyshes Fátima ishte thelbësore për Laminen. Ajo kishte ardhur në Spanjë nga Maroku në vitin 1990, duke punuar pa pushim me punë sezonale për të sjellë pesë fëmijët e saj në Barcelonë. Më shumë se një figurë familjare, ajo ishte një model dhe mbështetje jetike për Laminen, veçanërisht gjatë periudhës së ndarjes së prindërve të tij.
Ai gjithmonë ka shprehur dashurinë dhe respektin më të thellë për të. Ndaj, kur nisi të afirmohej si futbollist, veprimi i tij i parë ishte t’i blinte një shtëpi të re gjyshes së tij – një shenjë mirënjohjeje për gjithçka që ajo kishte bërë për familjen.
Trashëgimia e numrit 10
Përveç rinovimit, Lamine shfrytëzoi rastin për të konfirmuar diçka tjetër të madhe: do të mbajë fanellën me numrin 10 sezonin e ardhshëm, pas largimit me huazim të Ansu Fatit te AS Monaco.
Në rrjetet sociale, Lamine ka ndarë imazhe të ikonave që kanë veshur këtë fanellë magjike për Barcelonën: Maradona, Ronaldinho dhe Messi. Veçanërisht prekëse është fotografia legjendare me Leo Messin, ku ky i fundit shfaqet duke larë një Lamine të vogël në vaskë – një lidhje simbolike midis së kaluarës dhe së ardhmes së klubit. /Telegrafi/


