Gjykata Themelore në Prizren ka lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar për ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Remzi Shala, i njohur me nofkën e luftës si “Molla e Kuqe”.
Shala kishte munguar në seancën e 9 janarit në Gjykatën Themelore Prizren në gjykimin rreth vrasjes së Haxhi Perteshit në vitin 1998.
Mungesa e tij e shtyri trupin gjykues që lëshojë urdhër që Shala të sillet me Polici në gjykatë.
Pasi që fillimisht gjyqtarja kishte lëshuar urdhëresë, për Policinë e Kosovës, që për Remzi Shalën të kërkojnë informacione shtesë për vendndodhjen e tij, Policia nuk kishte arritur ta gjente e as të siguronte informacione shtesë për vendndodhjen e tij.
‘Kallxo’ raporton se Raima Elezi, gjyqtarja e rastit për Remzi Shalën, tashmë ka lëshuar letër-rreshtim vendor dhe letër-rreshtim ndërkombëtar, pasi që nga Policia e ka pasur të pamundur gjetjen e të akuzuarit Shala.
Kodi i procedurës penale thotë se “Letër-rreshtimi mund të urdhërohet kur i pandehuri gjendet në arrati, e kundër të cilit është filluar procedura penale”.
Gjithashtu Letër-rreshtimi ndërkombëtar mund të kërkohet në rastet kur personi i kërkuar nuk gjendet në Kosovë ose ka prova se personi banon jashtë Kosovës.
Shala në dhjetor kishte pranuar ftesë që më 17 janar të intervistohet në Hagë nga ana e prokurorëve të Gjykatës Speciale në Hagë dhe që nga ajo kohë ka humbur çdo kontakt nga avokati i tij.
Remzi Shala është duke u gjykuar për krime lufte në lidhje me rrëmbimin e vitit 1998 të Haxhi Perteshit nga Duhla e Suharekës, i cili pak ditë më vonë ishte gjetur i vdekur.