Udhëzimi i ministrit të Drejtësisë Krenar Lloga, me të cilin ka futur në certifikata grafën për përkatësinë etnike, nuk do të jetë përkohësisht e vlefshme. Ky është vendimi i gjyqtarëve kushtetues me pesë vota “pro” dhe dy “kundër”, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Debati zgjati më shumë se një orë e gjysmë, ndërsa të njëjtën e ka ndjekur edhe vetë ministri, Krenar Lloga.
Ata vendosën të vazhdojnë procedura për udhëzimin dhe deri në vendimin përfundimtar të ketë masë të përkohshme që udhëzimi të mos zbatohet. Votë kundër vazhdimit të procedurës ka pasur nga Naser Ajdari dhe Fatmir Skenderi.
Pas një vendimi të tillë, Lloga tha se kutia e Pandorës tani po hapet, pasi pasi sipas tij, në shumë raste nuk është respektuar vendosja e grafës për përkatësinë etnike.
Teza kryesore për fillimin e procedurës është tejkalimi i afatit të nënshkrimit, nga nënshkrimi deri në publikimin në “Gazetën Zyrtare”.
Procedura për udhëzimin vazhdon në Gjykatën Kushtetuese./Telegrafi/