Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit V.S, i dyshuar për vepër penale sulmi seksual dhe vepër penale kanosja.
Siç njoftohet, të pandehurit iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, pasi që gjykata konstatoi se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe në masën e duhur e arsyetuar, duke pas parasysh peshën dhe mënyrën e kryerjes së veprave penale.
Kjo sipas gjykatës, për faktin se në këtë çështje pritet të dëgjohen dëshmitarët dhe të dëmtuarit, rrethana këto që dëshmojnë se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri, i njëjti mund të përsërisë vepra të njëjta apo të ngjashme penale apo mund të ndikojë në dëshmitarë dhe të dëmtuar.
“Andaj, mbi bazën e të lartcekurave, e me qëllim të zhvillimit të procedurës në mënyrë të drejtë dhe zbardhjes së plotë të gjendjes faktike, gjykata erdhi në përfundim se masa e paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë fazë të procedurës dhe se masat e tjera nuk janë të mjaftueshme për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë dhe mbarëvajtjen e kësaj çështje penale”, thuhet në njoftim.
Ngjarja ka ndodhur të premten, teksa është filmuar me telefon, fshehurazi përmes derës së klasës.
Telegrafi ka siguruar videon në të cilën shihet teksa i dyshuari bisedon për pak çaste me nxënësen dhe më pas e puthë në buzë.
Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./Telegrafi/