Egzon Gjuka e Tainara Luna Gonçalves janë shpallur më të mirët të hendbollit kosovar në ceremoninë “Laureatët e Vitit 2022”.
Gjuka luan për skuadrën Besa Famgas dhe për Kombëtaren e Kosovës, ndërsa është hera e dytë me radhë që zgjidhet më i miri.
Luna Gonçalves në anën tjetër luan për Istogun dhe për Kombëtaren e Brazilit.
Si Gjuka ashtu edhe Luna Gonçalves kanë udhëhequr skuadrat e tyre drejt titullit të kampionit të Kosovës dhe Kupës së Kosovës në hendboll.
Klubet kampione, Besa Famgas e Istogu janë shpallur më të mirat e vitit. Besa e Pejës është shpallur klubi më i mirë edhe në tri kategoritë e reja.
Pos Gjukës, në shtatëshen e parë ka zënë vend edhe Arbios Mushkolaj i Besës. Ai në pjesën e parë të vitit të kaluar ishte te Deçani.
Shtatëshen e parë e kompletojnë Oltion Beshiri, Rron Ramadani e Agon Bajqinovci të Prishtinës, Arbër Curri i Rahovecit e Festim Mustafa i Kastriotit.
Mustafa ishte edhe golashënuesi më i mirë, ndërsa pivoti Rron Ramadani u shpall edhe lojtari më i mirë i mbrojtjes.
Në kuadër të nderimeve dhe mirënjohjeve të dhëna nga Federata e Hendbollit të Kosovës, një e tillë iu dha edhe portalit Telegrafi – si shenjë vlerësimi për mbështetjen mediale të dhënë ndaj aktiviteteve të hendbollit vendor.
I pranishëm për të pranuar mirënjohjen, ka qenë redaktori i Telegrafit, Butrint Avdyli, i cili ka theksuar se mbështetja e mediumit Telegrafi ndaj hendbollistëve të Kosovës do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2023, me përcjelljen e sukseseve dhe aktiviteteve të hendbollit vendor.
/Telegrafi/