Gjon Muharremaj apo i njohur me emrin artistik si Gjon’s Tears ditën e djeshme (e premte) ka mbërritur në Shqipëri.
Pas suksesit të madh që korri në “Eurovision 2021”, ku ai përfaqësoi Zvicrën me “Tout l’Universe” dhe fitoi vendin e tretë, karriera e tij do të vijojë në Paris në përgatitjen e tre albumeve.
Në një intervistë dhënë për Top Channel, ai ndihet se ka përfaqësuar të dy kombësitë.
I njëjti theksoi se do shkojë në Francë e më pas në Spanjë për të punuar për projektet e tij.
“Njerëzit janë të interesuar për muzikën time. Me Eurovisionin kam pasur mundësinë që t’i prek njerëzit muzikalisht. Eurovision më ka hapur shumë dyer. Do shkoj në Francë dhe më pas në Spanjë për muzikë. Ishte shumë bukur të merrja pjesë në Eurovision”, tha Gjon.
Gjoni deklaron se nuk e ka mohuar kurrë origjinën e tij dhe se spektaklet shqiptare janë ato që i kanë dhënë më shumë famë.
“Nuk e kam fshehur kurrë që jam shqiptar dhe jetoj sikur jam në tre vende, Shqipëri, Kosovë dhe Zvicër. Ajo që më ka dhënë mua famë ka qenë ‘Albanians Got Talent” dhe ‘The Voice Kids” kur këndova këngën time ‘Babi’. Dua t’i them të gjithë atyre që kanë plane në muzikë që të punojnë sa më shumë, të kenë besim tek vetja”, u shpreh Muharremaj.
Theksojmë se Gjon’s Tears përfaqësoi këtë vit për të dytën herë Zvicrën në “Eurovision”, kësaj radhe i treti në finale me gjithsej 432 pikë. /Telegrafi/