Telegrafi

Gjithçka gati – Fury dhe Usyk futen në ring

Kanë mbetur  pak minuta para fillimit të meçit të shumëpritur mes Tyson Furyt dhe Oleksandr Usyk ndërsa të dy boksierët tashmë janë futur në ring.

Ky meç ka zgjuar interesim mjaft të madh për shumë persona, madje është cilësuar edhe si “meçi i shekullit”.

Ky është meçi që përcakton kampionin e padiskutueshëm në peshën e rëndë që nga viti 1999 kur Lennox Lewis mposhti Evander Holyfieldin, ndërsa dy boksierët po luftojnë për titujt WBC, WBA, WBO dhe IBF.

Fury gjithsej ka zhvilluar 35 meçe në karrierën e tij duke i fituar 34 dhe duke humbur një, ndërsa Usyk në anën tjetër ka zhvilluar gjithsej 21 meçe, duke i fituar që të gjitha.

Prezent në këtë ngjarje të madhe të boksit janë figura të njohura të sportit si Cristiano Ronaldo dhe Neymar Jr.

I pranishëm është gjithashtu edhe boksieri britanik Anthony Joshua, i cili me shumë gjasë do të kërkojë të luftojë me fituesin e këtij meçi./Telegrafi/