Site icon Telegrafi

Gjilani merr një fitore të madhe te Suhareka, vazhdon ngjitjen në tabelë

Gjilani ka fituar në udhëtim te Suhareka me rezultat 2-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 22-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Skuadra e Ardian Nuhiut ka vazhduar formën e mirë dhe pa humbje në pranverë, duke marrë edhe fitoren e tretë nga katër ndeshje, ku ka edhe një barazim.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të hapur dhe me raste nga të dyja skuadrat, të cilat gjithashtu shënuan nga një gol.

Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 42-të me anë të Senad Jarovic, i cili shënoi nga penalltia për 0-1, ndërsa Endrit Krasniqi (45+) barazoi shifrat në 1-1.

Në pjesën e dytë, mysafirët ishin skuadër më konkrete, në një pjesë ku nuk munguan rastet nga të dyja skuadrat.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 54-të me anë të Edi Basa, i cili shënoi një gol të bukur nga distanca për 2-1.

Pas kësaj fitore, Gjilani ngjitet në pozitën e katërt me 31 pikë apo vetëm tri më pak se vendi i tretë, ndërsa Suhareka zë pozitën e gjashë me 26 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, gjilanasit luajnë në shtëpi ndaj Feronikelit ’74, teksa therandasit udhëtojnë te Ferizaj. /Telegrafi/

Exit mobile version