Site icon Telegrafi

Gjilan, arrestohet i dyshuari për organizim të lojërave të fatit

Një person është arrestuar sot në Gjilan, nën dyshimin se ka organizuar lojëra të fatit dhe tek i njëjti janë gjetur dhe sekuestruar mjete të ndryshme si dëshmi.

Në njoftimin e policisë thuhet se “Njësiti i Hetimeve të Stacionit Policor në Gjilan, sot me datën 17.01.2025 pas marrjes së informacioneve përmes rrugëve operative, ka realizuar një operacion kontrolli në një lokal dhe disa objekte përcjellëse të këtij lokali në rrugën ‘15 Qershori’ në qytetin e Gjilanit, me dyshimin për organizimin e lojërave të fatit”.

“Kontrolli është realizuar me leje dhe në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, gjatë të cilit kontroll nga zyrtarët policorë janë gjetur dhe sekuestruar si dëshmi për gjykatën tre televizorë, dy shtëpiza kompjuteri, dy  monitorë, një llaptop, një printer, nëntë tiketa të lojërave të fatit si dhe një shumë e parave të gatshme”.

Sipas policisë, në kuadër të veprimeve hetimore, nga ana e zyrtarëve policor është identifikuar dhe arrestuar personi i dyshuar N.G. (mashkull kosovar, viti i lindjes 1971) cili dyshohet se organizonte këtë veprimtari.

“Me vendim të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij do të ngritët kallëzim penal për veprat penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’’, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version