Telegrafi

Gjermania zgjat mandatin ushtarëve në KFOR, analistët: Sinjal se Berlini është i shqetësuar për gjendjen e sigurisë në Kosovë

Duke pas parasysh tensionet e ngritura mes Kosovës e Serbisë, Gjermania mori vendim që t’ia zgjasë mandatin ushtarëve të saj edhe për një vit në Kosovë. 

Mbase çështja e Asociacionit hodhi në sipërfaqe dallimet politike mes Kosovës e Gjermanisë, megjithatë kjo e fundit nuk po heq dorë nga Kosova në aspektin e sigurisë.

Marrë parasysh gjendjen jo të mirë të sigurisë në veriun e Kosovës, Gjermania vendosi t’ia zgjasë edhe për një vit mandatin trupave të saja në kuadër të misionit të NATO-s.

E kjo sipas politologut Fidan Ukaj është tregues i një aleance të fortë.

“Pavarësisht kërkesës së vazhdueshme të Gjermanisë për themelimin e Asociacionit të Komunave më shumicë serbe, vazhdimi i mandatit të ushtarëve gjermanë në Kosovë dhe Bosnje, është tregues së Gjermania është akter kryesor në kuadër të NATO-s. Ballkani Perëndimor gjendet në zemër të Evropës dhe interes i tyre është, anëtarësimi sa më shpejt i rajonit në gjirin e Bashkimit Evropian”, deklaroi Fidan Ukaj, politolog.

Për një rrezik potencial flet edhe njohësi i sigurisë Drizan Shala.

“Kjo është tregues i qartë se Berlini zyrtar, është i shqetësuar për gjendjen e sigurisë në Kosovë. Ky numër, sipas gjitha gjasave,  mund të ketë edhe rritje dhe shumëfishim të kontigjentëve të tjera për të mos i’u dhënë  mundësi ndonjë ekuilibri të caktuar të interferimit të Serbisë e Rusisë,  përmes formave hibride”, deklaroi Drizan Shala – ekspert i sigurisë.

Kabineti qeveritar i Gjermanisë, nën udhëheqjen e kancelarit të Olaf Scholz, ka miratuar vendimin për zgjatjen edhe për një vit të mandatit të ushtarëve që shërbejnë në kuadër të misionit të KFOR-it e ku ka theksuar se ky vendim vjen si shkak i tensioneve Kosovë-Serbi.