Site icon Telegrafi

Gjermania kundër propozimit të BE-së për t’i dhënë fund dialogut me Izraelin

Gjermania hodhi poshtë propozimin e Komisionarit të Bashkimit Evropian për Sigurinë dhe Politikën e Jashtme, Josep Borrell për t’i dhënë fund dialogut politik me Izraelin duke përmendur si arsye shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut në Gaza.

“Ndërprerja e dialogut me Izraelin nuk u sjell dobi njerëzve që vuajnë në Rripin e Gazës, pengjeve të Hamasit dhe as njerëzve në Izrael që janë të gatshëm për dialog”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme gjermane në Berlin.

Nga Berlini u raportua se Këshilli i Asociimit BE-Izrael po krijon një “kornizë të përshtatshme” për të diskutuar me qeverinë izraelite respektimin e parimeve të së drejtës ndërkombëtare humanitare, shkruajnë mediat.

“Ne po avokojmë që kanalet e komunikimit të mbeten të hapura. Gjithsesi, kjo vlen edhe për Izraelin”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock reagoi gjithashtu ndaj propozimeve të mëparshme të Josep Borrellit për të vendosur ministrat ekstremë izraelitë, Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben-Gvir në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian.

“Nëse ministra individualë izraelitë vënë në dyshim të drejtën e palestinezëve për të ekzistuar, ajo duhet të sanksionohet në nivel të BE-së”, tha Baerbock për transmetuesin publik ZDF.

Borrell bëri thirrje për përfundimin e dialogut pas refuzimit të gjatë të Izraelit për të diskutuar situatën humanitare në Rripin e Gazës në Këshillin e Asociimit.

Në një letër dërguar ministrave të jashtëm të BE-së të mërkurën, përpara takimit të tyre të hënën, Borrell ngriti “shqetësime serioze për shkeljet e mundshme të ligjit ndërkombëtar humanitar në Gaza” dhe tha se “Izraeli deri më tani nuk i është përgjigjur mjaftueshëm këtyre shqetësimeve”.

Pezullimi do të kërkonte miratimin e të 27 vendeve të BE-së, gjë që konsiderohet e pamundur për diplomatët.

Sipas burimeve diplomatike, propozimi i Borrell synon të dërgojë një sinjal të fortë shqetësimi për sjelljen e Izraelit në luftë. /Telegrafi/

Exit mobile version