Site icon Telegrafi

Gjermania dëbon diplomatët rusë pas vrasjes në Berlin

Prokurorët gjermanë thanë se provat sugjerojnë se Rusia ose Çeçenia mund të kenë porositur vrasjen e një burri gjeorgjian në Berlin. Dy diplomatë rusë janë dëbuar, dhe qeveria gjermane po diskuton hapat e mëtejshëm.

Prokurorët federalë gjermanë njoftuan të mërkurën se po marrin përsipër hetimet mbi vrasjen e një azilkërkuesi gjeorgjian në Berlin, duke konfirmuar raportet e mëparshme, transmeton Telegrafi.

Ndërsa prokurori i përgjithshëm i Berlinit ka thënë se provat tregojnë për përfshirjen e shtetit rus, presioni ka të ngjarë të rritet mbi qeverinë e kancelares gjermane Angela Merkel për të dërguar një sinjal të fortë në Moskë.

Prokurorët thanë se ka “prova të mjaftueshme” për të treguar se vrasja e këtij burri u krye në emër të shtetit rus ose nga Çeçenia.

Ministria e Jashtme gjermane njoftoi gjithashtu se dy punonjës në ambasadën e Rusisë në Berlin ishin caktuar persona non grata dhe ishin dëbuar.

Emrat dhe pozicionet e diplomatëve nuk u dhanë, megjithëse ministria tha se ndërmori një veprim të tillë pasi autoritetet ruse nuk arritën të “bashkëpunojnë sa duhet” në hetimin e vrasjes.

Në fund të gushtit, 40-vjeçari Zelimkhan Khangoshvili u qëllua në një vrasje të “stilit të ekzekutimit” në parkun Kleiner Tiergarten të Berlinit.

Që nga fillimi, vrasja ngriti shqetësime për agjencinë e inteligjencës ruse që mund të jetë e përfshirë. Moska ka mohuar çdo përfshirje në këtë çështje.

Kush ishte viktima?

Khangoshvili ishte një azilkërkues me prejardhje çeçene që luftoi kundër rusëve si separatist gjatë Luftës së Dytë çeçene nga 1999 – 2009. Ai u njoh gjithashtu me një identitet të dytë “Tornike K.”. Pas luftës, ai raportohet se ka punuar në Ukrainë dhe Gjeorgji kundër interesave ruse.

Në deklaratën e tyre, prokurorët gjermanë thanë se ai ishte “klasifikuar si terrorist nga autoritetet ruse dhe u persekutua si i tillë”.

Ai kërkoi azil në Gjermani në vitin 2016. Megjithatë, kërkesa e tij për azil u refuzua dhe ai u kërkua për dëbim. Ish gruaja e Khangoshvilit, Manana Tsatieva, më parë i tha DW: “Ne u paralajmëruam që kjo do të ndodhte përfundimisht”.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ajo planifikon të ngrejë çështjen me Presidentin rus Vladimir Putin kur ta takojë atë javën tjetër për bisedime mbi procesin e paqes në Ukrainë në Francë. /Telegrafi/

Exit mobile version