Site icon Telegrafi

Gjermania do t’i dërgojë Ukrainës tanke tjera të tipit Gepard

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka konfirmuar se vendi i tij do të dërgojë armë tjera në Ukrainë.

Bëhet fjalë për tankun Gepard, i cili është i specializuar në rrëzimin e fluturakeve, falë mitralozit të kalibrit të madh që e ka të vendosur në kupolë, transmeton Telegrafi.

“Do të vazhdojnë të punojmë në sigurimin e një sistemi shumë efikas”, tha Scholz gjatë një bisede telefonike që e ka zhvilluar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Gjatë kësaj bisede, Zelensky e ka informuar kancelarin gjerman për sulmet ajrore ruse mbi infrastrukturën civile siç janë ajo e rrjetit energjetik dhe të ujit.

Në anën tjetër Scholz është zotuar se do të vazhdojë mbështetja e Gjermanisë për Ukrainën.

Kujtojmë që Gjermania tashmë i ka dërguar Ukrainës sistemin e avancuar raketor Iris-T, që do t’i ndihmojë t’i kundërvihet agresionit rus.

Gjithashtu Gjeramnia i ka ofruar Polonisë mbrojtje  të hapësirës ajrore me sistemin raketor Patriot, por një gjë të tillë e ka refuzuar Varshava me arsyetimin se për një sistem të tillë raketor ka nevojë më shumë Ukraina. /Telegrafi/

Exit mobile version