Site icon Telegrafi

Gjermani, gruas nga Singapori i kërkojnë më shumë se ç’duhet

Një grua bëri një ankesë zyrtare ndaj policisë gjermane, pasi në aeroport u detyrua të tregonte se ishte në periudhën e laktacionit duke shtrydhur gjoksin.

Gayathiri Bose deklaroi për BBC-në se u ndie e poshtëruar nga kjo përvojë dhe se po shqyrton mundësinë për padi.

Bose, 33-vjeçare dhe nënë e dy fëmijëve, tha se ishte duke kaluar tranzit në Aeroportin e Frankfurtit në rrugën e saj drejt Parisit, kur agjentët e sigurisë patën dyshime për pompën elektrike të gjirit që ajo kishte me vete.

Aparati që përdoret nga miliona femra në botë u shfaq te makineria e rrezeve X, ndërsa agjentët e pyetën Bosen se për çfarë bëhej fjalë. Pavarësisht sqarimit që morën, agjentët e policisë gjermane patën dyshime të tjera, se përse nuk kishte një fëmijë të vogël me vete.

Për t’u siguruar që Bose nuk po gënjente, ata e shoqëruan në një dhomë të veçantë me një agjente femër, e cila i kërkoi që të shtrydhte gjoksin për të treguar se kishte qumësht. Bose tha se, e trembur nga presioni policor, u bind, pavarësisht poshtërimit që ndieu.

Më pas ajo u lejua të udhëtonte drejt Parisit. Të pyetur nga BBC, zyrtarë të policisë gjermane nuk pranuan të komentojnë rastin, por thanë se procedura rutinë nuk parashikon asgjë të tillë. Kjo u konfirmua edhe nga ekspertë të Aviacionit, që thanë se rasti i zonjës Bose, veçse tejet poshtërues, është i paprecedentë, transmeton tch.

Madje ata ngritën pyetjen se ç’do të ndodhte nëse do të ishte një mashkull që transportonte një pompë gjiri për bashkëshorten e tij?

Exit mobile version