Site icon Telegrafi

Gjermanët shtrëngojnë dorën në shpenzime, bie konsumi privat

Foto: Ilustrim

Inflacioni dhe recesioni po i bëjnë të pasigurt gjermanët. Në vend ka rënë konsumi privat, i cili gjithmonë ka qenë shtysë e ekonomisë gjermane.

Për herë të parë prej tetë muajsh atmosfera te konsumatorët gjermanë është përkeqësuar. Indeksi i Konsumit, sipas Institutit GfK ka arritur në këtë përfundim pas një sondazhi me 2 mijë vetë të anketuar.

Keqësimi i atmosferës së konsumit është i papritur për analistët.

“Zhvillimi i aktual i gjendjes së konsumatorëve të sinjalizon, se konsumatorët janë shumë të pasigurt”, thotë ekonomisti Rolf Bürkl.

Sipas ekspertëve shkak për këtë janë vijimësia e shtrenjtimit të produkteve në Gjermani.

Në muajin maj inflacioni, sipas Zyrës Federale të Statistikave arriti shifrën 6.2 për qind pas 7.4 për qind në muajin prill. Deri në muajin shkurt të këtij viti inflacioni ishte më shumë se 8 për qind, kundrejt vitit të shkuar.

Frika nga shpenzimet

Por edhe frika nga ekonomia në stagnacion apo në rënie duket se i ka bërë të pasigurt konsumatorët gjermanë. Institutet kryesore ekonomike në Gjermani kanë konfirmuar, se kapaciteti ekonomik i Gjermanisë këtë vit do të bjerë.

Instituti IFO llogarit me një minus prej 0.4 për qind. Kjo ka efekt te konsumatorët, që kanë një pritshmëri më të ulët në lidhje me të ardhurat e tyre. Familjet gjermane këtë vit presin humbje reale të të ardhurave për shkak të inflacionit të lartë. Pasoja: rënie e dëshirës për konsum.

“Kjo duket ndër të tjera në rritjen e dëshirës për kursime”, shton Bürkl.

Ekspertët nuk presin përmirësim të shpejtë të gjendjes. Konsumi privat, sipas GfK-së këtë vit do të bjerë dhe nuk do të shërbejë më si shtysë për ekonominë. Pozitivisht për të ardhmen shikohet tendenca në rënie e inflacionit, thonë ekspertët, pasojat në këtë rast nuk do të jenë aq të rënda në ekonomi, me gjithë humbjen e fuqisë blerëse. /Deutsche Welle/

Exit mobile version