Telegrafi

Gjeneralmajor Ulutash: KFOR-i përfaqëson angazhimin e NATO-s për sigurinë në Kosovë

KFOR shënoi sot një çerek shekulli angazhim dhe përkushtim drejt sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe stabilitetin rajonal, në një ceremoni të mbajtur sot në Kampin “Film City”.

Në këtë ceremoni morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, krerët e Misionit të EULEX-it, UNMIK-ut, OSBE-së, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian si dhe shumë ambasadorë të vendeve të ndryshme që kontribuojnë me trupat e tyre në KFOR dhe liderët fetarë.

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash tha se KFOR-i është i angazhuar për sigurinë në mbarë Kosovën.

“Është privilegj të qëndroj këtu me të gjithë ju, si Komandant i misionit më të gjatë në historinë e Aleancës sonë, dhe aktualisht më të madhin, KFOR-i përfaqëson angazhimin e prekshëm, afatgjatë dhe të palëkundur të NATO-s për sigurinë në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal, falë përkushtimit dhe profesionalizmit të përditshëm të ushtarëve dhe personelit të tij civil”, tha gjeneralmajor Ulutash.

Ai kujtoi edhe pjesëtarët e KFOR-it të cilët humbën jetën gjatë misionit të tyre në Kosovë.

“Më lejoni të nderoj shërbimin dhe sakrificën e tyre dhe të bëj nderim për ata që humbën jetën duke i shërbyer këtij misioni; pa angazhimin e qindra mijëra burrave dhe grave që shërbyen nën KFOR-in gjatë 25 viteve të fundit, NATO nuk do të mund të kishte luajtur një rol kaq të rëndësishëm në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, shtoi ai.

Ulutash theksoi se roli i KFOR-it mbetet thelbësor dhe se është i nderuar të vazhdoj ta ndaj këtë rrugëtim.

“Së bashku me mijëra gra dhe burra me uniformë, nga aleatët dhe partnerët e NATO-s, të cilët jam krenar t’i komandoj”, theksoi komandanti i KFOR-it.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, përkatësisht, me të cilët punojnë në koordinim të ngushtë. /Telegrafi/