Është gjetur trupi i pajetë i personit që ishte raportuar se kishte rënë në lumë në Deiq të Klinës.
Rastin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Trupi është gjetur 500 metra larg nga vendi ku peshkatarët e kishin parë duke rënë”, ka thënë ai.
Trupin e viktimës nga lumi kanë arritur ta nxjerrin ekipet e Kërkim-Shpëtimit të Zhytjes të Gardës Kombëtare të FSK-së.
“Gjatë ditës së sotme ekipet e Kërkim-Shpëtimit të Zhytjes të Gardës Kombëtare të FSK-së, pas marrjes së informacioneve për një person të rënë në lumë në fshatin Deiq të Komunës së Klinës, FSK ka angazhuar ekipet KSH për intervenim dhe në koordinim me Policinë e Kosovës kanë filluar operacionin e kërkimit- shpëtimit”, njofton FSK.
Gjatë ditës, policia ka njoftuar se kërkimi kishte nisur pasi një grup peshkatarësh në mëngjesin e së dielës, kishin parë një trup që po e zvarriste uji në lumë.
Të njëjtit sipas Gashit, kishin tentuar ta nxirrnin nga uji, mirëpo përpjekja e tyre ishte e pasuksesshme sepse ai ishte zhytur edhe më thellë.
Ndërkaq, pas intervenimit të FSK-së dhe Zjarrfikësve, është arritur të gjendet trupi i pajetë dhe të nxirret nga lumi.
Policia nuk ka dhënë detaje më të hollësishme lidhur me rastin./Telegrafi/