Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë sot ka raportuar drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë Shpend Maxhuni.
Raportimi i kreut të AKI-së ka qenë pa praninë e mediave.
Pas raportimit të tij, kryetari i Komisionit, Faton Topalli, tha se në takimin e sotshëm është biseduar kryesisht për sigurinë në Kosovë.
Ai theksoi se siguria në Kosovë është stabile, por që ka tendenca për destabilizim.
“Sipas raporteve të drejtorit gjendja e sigurisë në Kosovë është bukur stabile, ka tendenca të stabilizimit të gjendjes, por AKI sa i takon si agjenci ka informuar presidentin, kryeministrin dhe është në bashkëpunim me strukturat tjera të shtetit që merret me çështjen e sigurisë”, tha Topalli.
Sipas tij, tendencat për destabilizim vijnë nga Serbia.
“Informacionet për përpjekjet e destabilizimit të gjendjes në Kosovë janë publike, veprimet e shtetit të Serbisë janë për të destabilizuar gjendjen në Kosovë. AKI-ja ka detyrë të raportoj tek kryeministri dhe kryetari i vendit po ashtu edhe komisionit, tendencat e tilla të Serbisë janë të dukshme edhe për publikun dhe vendin”, u shpreh Topalli. /Telegrafi/