Telegrafi

Gjashtë televizorë dhe zgjerimi i rrjetit kabllorë – donacion nga IPKO për Klinikën e Onkologjisë

Kompania IPKO, ka dhuruar donacionin e radhës për Klinikën e Onkologjisë, të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Në donacion përfshihen 6 televizorë për pacientët që trajtohen me kimioterapi në këtë klinikë si dhe shërbimet e televizionit kabllor që ofrohen për 3 vite me radhë.

Kështu tha në një prononcim për Telegrafin Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, i cili theksoi ky donacion do ua lehtësojë punën si dhe aranzhimin e pacientëve.

Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë në QKUK /Foto: Ridvan Slivova/

“Sot kemi pranuar një donacion nga IPKO, bëhet fjalë për teknologji, saktësisht për televizorë- pajisje elektronike, të cilat ne i kemi vendosur në disa vende në Klinikë dhe kjo do të na e bëjë më të lehtë punën më të lehtë dhe aranzhimin e pacientëve si dhe marrjen e informatave të pacientëve nga televizorët si dhe është shumë e domosdoshme për takimet të cilat i bën kolegjiumi i mjekëve…”, ka thënë Kurteshi.

Edhe Afrika Zyferi, drejtoreshë e marketingut në IPKO ka thënë se donacionet kanë qenë nevojë dhe kërkesë e kësaj Klinike.

Afrika Zyferi, drejtoreshë e marketingut në IPKO /Foto: Ridvan Slivova/

“I kemi sjellë gjashtë televizorë të cilat kanë qenë të kërkuara nga Klinika Onkologjike si dhe kemi vazhduar shërbimin për internet dhe shërbimet e televizionit digjital.

IPKO është një klient afatgjatë i Klinikë Onkologjike por edhe i sektorit të shëndetësisë të Kosovës në përgjithësi. Kjo është një nga donacionet që IPKO ka sjellë ndër vite.

Në përgjithësi IPKO ka filluar donacionet në sektorin e shëndetësisë në Kosovë që nga viti 2012 dhe deri më tani ka arritur një shumë substanciale në vlerë prej 280 mijë euro”, ka thënë Zyferi.

Ndryshe, IPKO më herët ka dhuruar 400 pako esenciale për pacientët që po trajtohen me kimioterapi, pesë shtretër kimioterapie, 100 proteza të gjirit dhe 100 sytjena të nevojshme pas trajtimit të kancerit të gjirit, 38 paruke si dhe shërbime të internetit dhe televizionit digjital për 3 vite.

Donacionet për Klinikën e Onkologjisë nga IPKO /Foto: Ridvan Slivova/

Për Klinikën Onkologjisë në QKUK,  IPKO po ashtu kishte dhuruar edhe sistemin e sofistikuar të ultrazërit, PhilipsClearVue 650 për Klinikën e Onkologjisë, i cili zbulon kancerin në fazat e hershme të tij.

Donacione kishte dhuruar edhe për Repartin e Hemato-Onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë, 150 komplete set çarçafësh, 100 çarçafë, 70 jorgan, 100 jastëk, një makinë larëse dhe një makinë tharëse, të identifikuara si nevoja esenciale për këtë klinikë. Po ashtu,  5 inkubatorë të rijnë për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në vitin 2012. /Telegrafi/

IPKO jep donacion në Klinikën e Onkologjisë /Foto: Ridvan Slivova/