Federico Chiesa është në rrezik që ta humbasë medaljen e fituesit të Ligës Premier së bashku me disa bashkëlojtarë tjerë të tij tek Liverpooli.
Liverpool iu afrua një hap më shumë titullit të Ligës Premier të mërkurën, pasi golat e Dominik Szoboszlai dhe Alexis Mac Allister i dhuruan atyre një fitore me rezultat 2-0 ndaj Newcastle.
Me vetëm 10 ndeshje të mbetura në sezonin 2024/2025, ekipi i Arne Slot është momentalisht 13 pikë para Arsenalit të vendit të dytë.
Pjesa më e madhe e ekipit të Liverpoolit është kualifikuar tashmë për të marrë një medalje fituesi të Ligës Premier pasi kanë bërë të paktën pesë paraqitje, por ka edhe një pjesë të tyre që nuk e kanë plotësuar këtë kusht.
Chiesa, i cili iu bashkua Liverpoolit nga Juventusi në verë për 12.5 milionë euro, ka luajtur vetëm tri ndeshje në kampionat këtë sezon, që do të thotë se është vetëm 2 ndeshje larg për ta plotësuar këtë kriter.
Ka edhe disa lojtarë të tjerë që e ndajnë të njëjtin fat, duke përfshirë portierin Vitezslav Jaros, i cili pati vetëm një paraqitje kur bëri debutimin e tij në fitoren me rezultat 1-0 ndaj Crystal Palace në tetor.
Tyler Morton, Trey Noni dhe James McConnell nuk janë paraqitur ende, pavarësisht se kanë impresionuar në ndeshjet e kupës, teksa Jayden Danns nuk është në gjendje të kualifikohet për medalje, pasi momentalisht është në huazim tek Sunderlandi.
Sipas uebsajtit të Ligës Premier, kampionit i dhurohen 40 medalje të bëra prej argjendit, të cilat janë me diametër 5.7 centimetra.
Ato mund t’i dhurohen trajnerit, lojtarëve dhe zyrtarëve, për aq kohë sa lojtarët kanë bërë të paktën pesë paraqitje në kampionat./Telegrafi/