Gjashtë përfaqësues diplomatikë të shteteve të huaja në Kosovë sot shkuan për vizitë në “Comodita Home” në Gjakovë.
Në fabrikën më të madhe në rajon të dyshekëve dhe shpuzës u pritën nga aksionari Shkëlqim Devolli.
Devolli, bashkë me stafin, ua tregoi mysafirëve nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Sllovenia, Turqia dhe Zvicra repartet e prodhimit.
Shpjegimet për produktet i dëgjuan me vëmendje, derisa dikush nga mysafirët kishte goxha njohuri për atë që po shihte.
Mysafirët thanë se u mahnitën edhe me një produkt të lansuar rishtas – dyshekun e brenduar me emrin e yllit të futbollit italian dhe botëror, Francesco Totti, që u bë edhe imazh i Comoditas.
Ky produkt, por edhe të tjerët, e bënë ambasadorin zviceran dhe atë shqiptar të mos kursehen në lëvdata për këtë fabrikë.
Për rëndësinë e kësaj fabrike foli edhe i pari i Gjakovës Ardian Gjini.
Ndalesa e radhës e ambasadorëve ishte Xërxa e Rahovecit.
Mysafirët në fabrikën e miellit, që është ndër më të mëdhatë në rajon, panë prodhimet që dalin nga “M&Sillosi”.
Gjatë ditës gjashtë ambasadorët vizituan edhe qendrën inovative “Bone Vet” në Gjakovë.