Site icon Telegrafi

Gërvalla i quan propagandë ndërlidhjet me VV-në: Më duhet të ndërmarrë rrugë ligjore

Drejtori i zgjedhur i RTK-së, Rilind Gërvalla, i ka quajtur propagandë dhe fabrikime ndërlidhjet që i janë bërë me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje pasi u emërua në këtë pozitë.

Ai ka paralajmëruar se do të ndërmarrë rrugë ligjore “për të gjitha përpilimet e pasakta në emrin tim”.

Lexo po ashtu Tahiri reagon pas emërimit të drejtorit të RTK-së, thotë se është militant i VV-së

Tutje, Gërvalla ka thënë se ka shërbyer në RTK për 23-vjet, si gazetar, drejtues i lajmeve ndërkombëtare dhe i këmbimit të lajmeve në ndërlidhje të RTK-së.

“Pas sulmeve publike të këtyre ditëve, të bazuar në propagandë dhe fabrikim, jam pak i indinjuar, por më shumë i brengosur se në ç’masë kanalet e komunikimit në ditët e sotme arrijnë ta bëjnë ndërmjetësin e interesave të caktuara pa bërë hulumtim të detajuar. Për hir të korrektësisë mediatike, do të më duhet të ndërmarrë rrugë ligjore për të gjitha përpilimet e pasakta në emrin tim. Paçim një rrugë të bukur bashkë, me bashkëpunim, diskutime dhe kërkesa të hapura, transparente dhe profesionale”, ka shkruar ai.

Bordi i RTK-së me tetë vota për dhe asnjë kundër, të martën ka miratuar rekomandimin e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, për emërimin e Rilind Gërvalla në pozitën e drejtorit të kanalit shqip të RTK-së (RTK1, 3, 4). /Telegrafi/

Exit mobile version