Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka falënderuar ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, për organizimin e takimit ku u diskutua për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Gërvalla përmes një postimi në twitter kujtoi se Kosova ofron kornizën më të avancuar për të drejtat e pakicave në Evropë.
Megjithatë ajo tha se duhet të refuzohet ndonjë model Asociacioni që i mundëson Serbisë të minojë sovranitetin e Kosovës.
“Çdo model [i asociacionit] që lejon Serbinë të minojë sovranitetin e Kosovës duhet të refuzohet nga të gjithë ata që synojnë paqen e qëndrueshme dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon”, është shprehur Gërvalla.
Ndryshe, ambasadori Jeff Hovenier, tha të martën se Shtetet e Bashkuara mbështesin zbatimin e të gjitha zotimeve që dalin nga bisedimet Kosovë – Serbi, por nuk mbështesin asnjë marrëveshje që kërcënon sovranitetin, pavarësinë, karakterin shumë etnik apo institucionet demokratike të Kosovës.
Ai i bëri këto komente pas një debati me dyer të mbyllura për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që u mbajt në mjediset e ambasadës amerikane.
Në takim morën pjesë rreth 40 përfaqësues institucionesh, partish politike dhe përfaqësues të shoqërisë civile./Telegrafi/
Any model that allows Serbia to undermine 🇽🇰‘s sovereignty should be rejected by all that aim sustainable peace and good neighborly relations in the region.
— Donika Gërvalla-Schwarz (@gervallaschwarz) January 31, 2023