Balton Dërguti, përfaqësues i Listës Guxo në Ferizaj kishte deklaruar sot se kjo iniciativë do të kandidojë me listë të veten për asamble.
Ai ka thënë se nuk do të garojnë me VV-në në një listë të përbashkët për këtë komunë.
Mirëpo pas këtyre zhvillimeve ka reaguar ministrja e Jashtme, që është edhe zyrtare e Listës Guxo, Donika Gërvalla.
Ajo përmes një shënimi në Facebook ka thënë se ashtu siç kanë garuar bashkë me LVV-në në zgjedhje parlamentare do të garojnë bashkë edhe në zgjedhje lokale.
“Lista Guxo ka vendosur që në zgjedhjet e ardhshme komunale të marrë pjesë në lista të përbashkëta me Lëvizjen Vetvendosje”, ka shkruar Gërvalla.
Gërvalla thotë se Lista Guxo përfaqëson ndryshimin, dhe sipas saj nuk bën të bëhen koalicione me partitë tjera pos LVV-së.
“Të gjithë ata që përqafojnë vizionin politik të Listës Guxo duhet të synojnë ndryshimin e premtuar rrënjësor në vend dhe jo të qenit patericë e koncepteve të tjera politike, të cilat në zgjedhjet e 14 shkurtit janë ndëshkuar rëndë nga qytetarët e vendit”.
Gërvalla ka paralajmëruar takime edhe me deputetët e Ferizajt, që deri më tani kanë qenë më skeptike për kaolicionin me LVV-në.
“Njoftojmë anëtarët dhe simpatizantët e Listës Guxo se gjatë ditëve të ardhshme, së bashku me dy deputetët e Ferizajit të Listës Guxo dhe me mbështetësit dhe aktivistët e shumtë do të takohemi për t’u koordinuar rreth hapave të mëtejmë. Takime të tilla do të mbahen në të gjithë vendin”, ka njoftuar më tej Donika Gërvalla./Telegrafi/