Site icon Telegrafi

GËRMADHAT E SHPIRTIT

Poezi nga: Vjollca Bajraj
Për, Xhevdet Bajrajn (6 mars 1960 – 22 qershor 2022)

***

COPËZA SHPIRTI

Unë, i prekja me delikatesë
telat e shpirtit tënd

Sikur kur mundohesh
të krijosh ndonjë melodi të bukur
nga një kitarë e thyer

Dhe, shumë herë ia dilja
herëve tjera jo

Ti thyheshe copë-copë
bëheshe spirë

Sa herë t’i kam mbledhur copëzat
e shkapërderdhura nëpër rrugë

Ua fshija pluhurin
i lidhja me fijet e shpirtit
dhe, prapë e krijonim melodinë tonë
as ma të bukurën
as më të keqen
as më të lumturën

E krijonim melodinë tonë të veçantë
Nganjëherë të trishtë
Si vet jeta

***

SIKUR TA DINIM

As unë e as ti nuk e dinim
Se ishte nata e fundit
Qe po flisnim bashkë
Që po rrinim bashkë
Që po qeshnim bashkë

Atë ditë ishte ditë si gjithë të tjerat
As nuk binte shi
As nuk frynte erë
Edhe dielli lindi si çdo ditë tjetër
Veç ti nuk i hape sytë
Ti që e humbe për së gjalli tokën tënde
E u ktheve i vdekur
Për ta pushtuar prapë atë

***

NËPËR GËRMADHAT E SHPIRTIT TIM

Rrjedhin lumenj të dhimbjes
Nganjëherë aq të fuqishëm
Sa i rrëzojnë edhe ato pak mure
Që mezi mbahen në këmbë
Nëpër dyert e thyera të kujtimeve
Hyn e del malli
I pamëshirshëm në kërkimin
E dashurive të humbura
Në gropat e krijuara nga pritja
Mblidhen ujëra të njelmët
Që mbysin ditët e mía
E unë e ushqej shpresën me ëndrra
Se një ditë diku do të takojë

Exit mobile version