Nga: Simon Heffer / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
FR Leavis shkroi se [poemat e veprës] Katër Kuartetet [Four Quartets] “kërkojnë … thellësi të plotë me gjuhën angleze, më shumë se çdo poezi tjetër që është shkruar më parë”. Ky vëzhgim nxori në pah kompleksitetin e mendimit poetik të TS Eliotit, i cili shpaloset në këto meditime mbi marrëdhëniet e njeriut me kohën dhe universin.
Elioti shkroi të parën nga poemat, Burnt Norton, në vitin 1935, pasi vizitoi shtëpinë me atë emër në Glostershër. Në vitin 1937, e vizitoi Ist-Kokerin në Somerset – në kishën e famullisë të së cilës do të varroset hiri i tij në vitin 1965 – dhe rreth kohës kur shpërtheu lufta [e Dytë Botërore], e shkroi një poezi të frymëzuar nga vizita e tij atje [East Coker]. Poema e tretë, The Dry Salvages, e merr emrin nga një grup i shkëmbinjve pranë Masaçusetsit, ku kishte lundruar si fëmijë, përpara migrimit të tij në Angli. Poema e fundit, Little Gidding, e botuar në vitin 1942, u frymëzua nga një komunitet fetar në fshatin me të njëjtin emër në Hantingdonshër, që u themelua në vitin 1626.
Elioti i quajti “kuartete” sepse, siç shpjegoi ai, ato ishin “të gjitha në një formë të caktuar” – secila ka pesë pjesë – dhe se titulli “do t’i niste njerëzit në rrugën e duhur për t’i kuptuar ato” (ai i hodhi poshtë “sonatat” si “shumë muzikore”). “Udha” që Elioti kishte në mendje ishte “bërja e një poeme duke ndërthurur së bashku tri ose katër tema të palidhura”, duke krijuar “një tërësi të re”. Që të katrat kanë temën e kohës; por gjithashtu eksplorojnë rrugën drejt përmbushjes shpirtërore nga një gjendje shtrëngimi që përfshin refuzimin e materializmit dhe duke njohur rëndësinë e lutjes. Orwelli ishte i tmerruar nga përdorimi i poezisë nga Elioti për ta çuar përpara, siç mendonte ai, religjionin: me sa duket, sepse e kishte të pamundur të lidhej me gjërat e tilla.
Rreshtat hapës të Burnt Norton-it – “Koha e tashme dhe koha e kaluar / Janë ndoshta që të dyja të pranishme në kohën e ardhme, / Dhe, koha e ardhshme përfshihet në kohën e kaluar” – janë themeli mbi të cilin ndërtohen të katër poemat dhe çifti tjetër i rreshtave japin qëllimin e gjithë përpjekjes: “Nëse e gjithë koha është përjetësisht e pranishme / E gjithë koha është e pashlyer”, Kjo nuk ka të bëjë thjesht me funksionin e kujtesës, por me rrugën drejt vdekjes: e cila kërkon aspektin shpirtëror që përshkon Katër kuartetet.
East Coker është haptazi më fetare. Aludon për shekujt e vajtje-ardhjeve: “Shtëpitë ngrihen dhe bien, shkërmoqen, zgjerohen, / hiqen, shkatërrohen, restaurohen ose mbesin në vendin e vet / Është një fushë e hapur, ose një fabrikë, ose një kalim”. Jeta përmblidhet si “këmbë që ngrihen dhe bien. / Ngrënia dhe pirja. Bërlloku dhe vdekja”.
Dry Salvages përdor detin si mjet për të përshkruar përjetësinë, me njeriun që supozohet të lundrojë dhe të shmang shkëmbinjtë: “Lumi është brenda nesh, deti është gjithçka rreth nesh”. Nëse ajo poezi është uji, Little Gidding është zjarr: zjarri i bombave në Londër dhe zjarri i ferrit të purgatorit. Si roje në luftë, Elioti vuri në dukje “tri rrethe nga ku ngrihet tymi”, por parashikoi “zogun e dërguar, duke fluturuar përmes flakës së purgatorit” – dikush do të “shëlbohej nga zjarri përmes zjarrit”. Në tmerrin e një lufte të bombardimeve, feja, Elioti i thotë Orwellit dhe të tjerëve, është krejtësisht e nevojshme. /Telegrafi/