Nga: Luan Rama
Bashkë me dy arkeologë shqiptarë jam ulur në një kafene të Place Charles Dullin, që mban emrin e një prej regjisorëve të shquar të teatrit francez të gjysmës së parë të shekullit XX. Bëhet fjalë për Théatre de l’Atelier që ngrihet ballë nesh. Vështroj teatrin me një afishe të Monica Belushit që interpreton një pjesë teatrale dhe miqve të mi u them se dikur këtu, para një shekulli, niste debutin e saj një aktore e njohur me origjinë shqiptare e cila në Francë quhej Genica Athanasiu, por që në fakt emri i vërtetë ishte Evgjeni Athanasi. Ata kthyen kokën nga teatri dhe njëherësh thanë të habitur:
– Si është e mundur që s’kemi dëgjuar për të?
– Po, quhej Evgjenia, e njohur në Francë si Genica, e cila në rininë e saj donte të bëhej aktore dhe e braktisi Bukureshtin për të ardhur në metropolin botëror të kinemasë dhe të teatrit, në Paris. Emri i saj hyri kështu në historinë e teatrit dhe të kinematografisë franceze.
Në fakt emri i saj, Genica, ishte thjesht pseudonim kur erdhi në Francë dhe historinë e saj e kisha zbuluar rastësisht duke lexuar rreth veprës aktoriale të aktorit dhe poetit të shquar Antonin Artaud, ku mes të tjerash gjeta dhe një libër me letrat e dashurisë midis këtyre dy aktorëve, “Letra për Genica Athanasiu”, të cilët ishin njohur pikërisht në këtë teatër të quajtur “Atelier” për faktin se ishte njëlloj atelieri modern për kohën kur eksperimentohej një metodë e re teatrale.
Duke folur për të, vetja më ngjante se dhe unë isha njëlloj “arkeologu”, për faktin se kisha zbuluar diçka tepër të vjetër dhe që kishte të bënte me origjinën shqiptare të një aktoreje për të cilën ishte shkruar shumë në kohën e lavdisë së saj, por që ishte tërësisht e panjohur për ne shqiptarët. Po më ndodhte e njëjta gjë kur po rastësisht kisha zbuluar veprën e Jean Moreas në Paris që nuk ishte tjetër veçse arvanitasi Jani Papadiamanti, që në Francën njihej si grek, por që Guillaume Apollinaire fliste për origjinën e tij shqiptare. Të parët e tij vinin nga Hidra e Moresë (Peloponezi) dhe që në Francë mbahej si një nga poetët e shquar francez të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, themelues i shkollës simbolike franceze.
Pasioni i hershëm i teatrit
Evgjeni Tanase (apo Tanasi) kishte lindur në Bukuresht më 3 janar të vitit 1897, në shtëpinë e Gjergj Tanasi, babait të saj shqiptar dhe nënës së saj rumune, Ekaterina, me origjinë nga krahina e Banatit, dikur nën pushtimin austro-hungarez, siç dëshmon në librin e saj për Genican, Laurence Meiffret. I ati ishte tregtar dhe familja e vendosur në rrugën Uranus të Bukureshtit kishte pesë fëmijë: vajza e madhe Maria, vajza tjetër Porfira, binjakja e Evgjenisë që lindi çerek ore para saj, Evgjenia, si dhe dy vëllezër më të vegjël, Diomède dhe George. Fëmijëria e saj kaloi në shtëpinë që gjendej midis rrugës Lazareanu dhe Minotaurui, rrugë dhe shtëpi që në kohën totalitare Çaushesku i shkatërroi për të ngritur ndërtime gjigande.
Ata jetonin kështu në lagjen Uranus e cila ishte mjaft e gjallë, siç ishte Montmartre në Paris, me kinema, salla teatri, kabare, tramvaj, teatër vere etj. Si shumë shqiptarë që vinin emigrantë në Bukuresht, shumica nga zona e Korçës, mes të cilëve dhe Nikolla Laço, i ati i Evgjenisë ishte frankofon. Që në adoleshencë Genica fliste rumanisht, greqisht dhe frëngjisht. Pëlqente teatrin dhe pas liceut donte të interpretonte në një skenë teatri. Por, nëna dhe babai nuk ishin në një mendje me të që të hynte në një shkollë dramatike. Këmbëngulëse dhe me karakter siç ishte, ajo ishte shprehur se “nëse prindërit do ta detyronin të martohej me detyrim, ajo menjëherë do të divorcohej dhe do të ikte nga familja”, pasi siç thoshte ajo, “bota ime është teatri”. Në fakt ishte motra e saj e madhe, Maria, ajo që e mbështeti në pasionin e saj për artin dramatik, kohë kur hyri në Konservatorin e Artit Dramatik në Bukuresht. Bashkë me një aktor me eksperiencë që donte të vinte në Paris, me të cilin ishin angazhuar në Teatrin Nacional të Bukureshtit ata ëndërrojnë të nisen drejt Parisit.
Dihet që në fundin e shekullit XIX, Bukureshti ishte një qendër e fuqishme e diasporës shqiptare ardhur kryesisht nga jugu i Shqipërisë, veçanërisht zona e Korçës, Përmetit etj. Nuk dimë rolin e të atit të saj në diasporën shqiptare të Bukureshtit por, sidoqoftë, siç deklaronte, ajo ishte krenare për origjinën e saj. Më së fundi ajo u nis drejt Parisit, ku fillimisht qëndroi në një familje në Bois-de-Boulogne. Mbërriti në stacionin e trenit Gare de l’Est më 21 korrik të vitit 1919. Shumë shpejt u njoh me Charles Dullinin, regjisor teatri 35 vjeçar, çka do t’i hapte portat e teatrit për t’u ngjitur në skenë. Kjo ndodhi pas Luftës së Parë Botërore. Charles Dullin, me të cilën Genica do të kalonte një histori dashurie, e kishte krijuar teatrin e tij në Montmartre me nostalgjinë e teatrove ambulantë që atë kohë shëtisnin nëpër Francë nga një qytet në tjetrin gjer në fshatrat e largëta, kohë kur aktorët ishin dhe dramaturgë, dhe regjisorë, poetë, këngëtarë, pra bohemë.
Kjo kohë përkiste me vitet e krijimit të Shkollës së Re të Aktorit (École Nouvelle du Comedien) në kryeqytetin francez. Kur u shfaq në Paris, Genica Athanasiu erdhi si nxënëse pikërisht në këtë teatër për të realizuar ëndrrën e saj aktoriale. Dullin atë kohë eksperimentonte në fushën e teatrit. Genica kujtonte vitin e parë kur i duhej të realizonte veprime të vështira që i krijonin dhimbje në trup, të rrëzohej mbi skenë, të përgjakej, etj. Pikërisht në këtë kohë me trupën e Dullin u bashkua dhe aktori i ri Antonin Artaud. Ishte viti 1921 dhe kjo trupë do të jepte shfaqje mjaftë interesante në një qytezë të quajtur Moret-sur-Loing si dhe në Château London. Ishte vjeshtë dhe pas shfaqjes, një ditë, Artaud i kishte lënë asaj një letër. Ishte thjeshtë një poezi ku ai i kishte shkruar: “Natë e mrekullueshme yjesh që xixëllojnë/ e më vështrojnë nga thellësia e Empyrée / fytyra tënde prej qumështi / nuk barazohet as me lulet hënore të syve të tu ngjyrë topazi …/”, Poezitë dhe letrat më as do të botohen nga Gallimard, i cili në shënimin për librin “Lettres à Genica” ka shkruar: “Ndoshta bukurinë e saj mahnitëse Genica e kishte nga babai i saj me origjinë shqiptare”.
Një dashuri pasionante
Kjo letër ishte dhe fillimi i dashurisë së tyre. Dy të dashuruarit shkëmbejnë letra ku shpesh ai i nënshkruante me emrin Naky apo Nanaqui. Artaud vazhdonte ti kushtonte poezi të tjera siç ishte “Pallati i nëmur”, një adaptim i frymëzuar nga poezia e Edgar Poe apo poezia tjetër “Kur vjen perëndimi i diellit”. Në kthim nga turneu dy të dashuruarit humbasin nëpër kafenetë dhe rrugët e Parisit dhe më së shumti në bulevardin e Saint-Germain-des-Près. Por shpejt ajo mësoi se Artaud, ky aktor tepër i talentuar, ishte nën influencën e opiumit që atë kohë ishte në modë në Francë. Kjo gjë nuk i pëlqeu e megjithatë e kishte të vështirë të largohej prej tij. Atëherë Artaud banonte në 57, rue de Seine. Në shkurt të vitit 1922, grupi i Atelier jep shfaqje në teatrin e “Vieux Colombier”, një nga teatrot më të njohura të Parisit. Në dramën “Ullinjtë”, kishte shumë pjesë improvizuese dhe pikërisht aty Genica spikati me talentin e saj të veçantë, me një profil të veçantë, jo vetëm si fiozonimi por dhe si interpretim në rolet e saj. Kishte një plastikë të veçantë e trupit dhe një kurajo të habitshme. Në një nga këto pjesë ajo luan rolin e një vajze të re që kërkon të luajë në një skenë teatri. Të habitur, kritikët e pyesnin rreth interpretimeve të saj dhe ajo u përgjigjej: “Improvizimet e mia janë plastike. Unë mund tu bëj dhe figurën e trëndafilit …”!
E, kështu, në skenë, ajo mund të transformohej në një trëndafil. Publiku e duartrokiste dhe ajo improvizonte në bazë të kërkesave të publikut. “Nuk ishte as balet, as teatër, por improvizime të trupit dhe shprehjes së fytyrës, një lloj pantomime abstrakte”, shkruante një kritik parisian.
Meqë kishte një talent piktural, ato kohë Artaud përgatiste dhe skenat, dekoret e kostumet e një shfaqjeje. Në një letër që i dërgonte Genicas më tre gusht 1922, ai i shkruan për idenë që të shkruajë një balet abstrakt ku “ajo të interpretonte rolin kryesor ku do të shprehte luftën, apoteozën dhe triumfin e elementeve abstrakte të dansit të Ujit, Zjarrit, Dëshirës, Ethes, Voluptetit, Njeriut, Jetës, Vdekjes, Dëshpërimit, Keqardhjes apo të kombinimeve humane të këtyre elementëve”.
Në ato vite, aktorët e Atelier jepnin shfaqje në Vieux Colombier, në Saint-Germain-des-Près të Parisit, pjesë teatrale si “Kopraci”, apo drama “Shantazhi” ku Artaud luan rolin e një të verbëri dhe Genica atë të një zezakeje. Në qershor të vitit 1922, trupa e Atelier shkon në Néronville ku japin shfaqje në sheshin e qytezës dhe rreth kështjellës mesjetare. Pas kësaj kthehen në Vieux Colombier ku Artaud interpreton rolin e mbretit të Polonisë ndërsa Genica atë të Estrelle. Dy javë me rradhë, dy të dashuruarit nuk ndahen nga njëri-tjetri. Në korrik të atij viti Artaud shkon pranë familjes së tij në Marseille. Por ai e vuan shumë këtë largim. Letrat që i shkruan asaj janë dëshpëruese, duke i thënë se “tashmë ndjehem i shkëputur nga vetvetja, nga trupi im” … Këto përçartje të tij Genican e shqetësojnë, letrat e tij janë tronditëse. “Pështyj mbi ekstazat e shpirtit tim. I urrej të gjitha veprat e mia. Unë jam gjetiu …”! Në tetor të vitit 1923 Genica niset në Bukuresht për të takuar nënën e saj të sëmurë. Në një telegram që Artaud i dërgon nga Parisi më 18 nëntor të këtij viti është shënuar adresa e saj: “Eugenie Athanasiu, 12 strada Justinian, Bucarest.”
Ndërkohë, Artaud i shkruan për dhimbjet e tij të shpirtit dhe të trupit. Dhe kur ajo i shkruan se ai duhet ta braktisë opiumin njëherë e mirë, kjo gjë Artaud e revolton. Megjithatë, ajo e do. Genica i shkruan: “Fotografinë tënde e kam vendosur në mur. Ajo më sjell imazhin tënd. Më kujton ende aromën, forcën e trupit tënd. Mishi yt është i butë dhe i fortë njëkohësisht, siç je ti, i mbushur gjithë poezi”. Kur Artaud interpreton në skenën e Teatrit të Komedisë në Champs Elysées, pas shfaqjes ajo i shkon dhe ngjitet në dhomën e tij. Puna aktoriale për të dy është e ethshme, e lodhshme dhe pasionante. Më pas ajo largohet të çlodhet për një kohë në Bretagne ku ai i shkruan: “Një vit plot dashuri ! Sa bukur !” Por, në të njëjtën ditë ai i shkruan se ndjen një lodhje të madhe, se fotografia e saj është në murin e dhomës. Letrat e Artaudit i vijnë parreshtur. Ai është këmbëngulës në dashuri: 11 maj, 13, 15 maj … Madje dhe dy letra brenda ditës. Letra pasionante ku ai e quan “grua rrebele”. Ai vuan për të. Kërkon që ti shkojë në Paris dhe të jetë pranë tij.
Atë kohë Artaud po interpretonte një dramë të shkruar nga Louis Aragon, miku i tij surrealist, pasi në këtë periudhë, Artaud ishte një nga figurat e shënuara të surrealizmit bashkë me Breton, Eluard, Duchamp etj. I tregoi për dramën e Aragonit duke i kërkuar që në skenë të jetë partnerja e tij. Kur Genica më pas interpretoi këtë dramë, kritiku Commigue shkruante: “Së pari pashë fytyrën e një gruaje me një bukuri të frikshme dhe shumë tragjike. Quhet Genica Athanasiu. Ka interpretuar si askush tjetër … Ishte një lojë mjaft e bukur”! Artaud ndërkohë interpreton një dramë të Bernard Shout me trupën teatrale të Pitoeff në skenën e Commedie de la Champs Elyssées. Por, ai vuan, është ne një gjendje të rëndë depresioni. Ata takohen në Paris dhe gjithnjë e njëjta zënkë mes tyre: ajo i kërkon të shkëputet nga opiumi.
Por si?
Tepër e vështirë për të. Genica niset drejt jugut të Francës, në Pyrennés. Gusht i vitit 1923. Dhe, ajo ndihet e lodhur, e sëmurë. Disa ditë shkon ta takojë në Marseille meqë ai i ishte lutur të shkonte pranë tij. Më 23 shtator ajo kthehet me tren në Paris. Por, letra e tij që ka shkruar një natë më parë i duket e frikshme: “Jeta ime është ajo e një të handakosuri. Pështyj mbi veten …”! Edhe pse në një gjendje të tronditur psikike, Artaud mbetej një aktor i fuqishëm dhe i kërkuar nga teatrot dhe regjisorët më të mirë të kohës, në teatër dhe në kinematografi. Edhe pse nën efektet e opiumit, rolet e tij janë të suksesshme. Në dhjetor të vitit 1923 i dërgon asaj dy vizatime, “croquis” ku ka vizatuar vetveten si klloun: “Festat këtu për mua janë të trishta, në vetmi, sëmundje e braktisje.” Në letra i shkruan: “E shtrenjta engjëlli im” … “Engjëlli-Zot” …
Letrat fillojnë të bëhen gjithnjë e më të rralla. Aq sa më në fund ai i shkruan: “Ne jemi miq gjithnjë / por do jetojmë të ndarë / ti do rregullosh jetën tënde dhe do jesh e lirë nga unë/ dhe kohë më kohë do të takohemi.” Të dy njohin suksese në jetën e tyre artistike. Genica-n e ftojnë ndërkohë në Gjermani të interpretojë në një film që xhirohet atje, një film i Jacques Robert “Konti Kosta”, ku ajo interpreton në rolin e vajzës së kontit, Stefania. Një vit më vonë filmi mirëpritet nga publiku dhe kritika kinematografike.
Në gusht të vitit 1925 Genica merr një nga letrat e rralla tashmë nga Artaud kur ai i shkruante: “Mon amour cherie !” Në të njëjtën kohë ai i dërgon librin e tij “Olimbic des limbes” ku si dedikim i kishte shkruar: “Çfarë shpirti të ëmbël ti mbart dhe që e ke ndarë me mua. Faleminderit që më ke lejuar të jetoj brenda teje dhe të të bëj pjesë të jetës time.” E gëzuar, ajo i përgjigjet: “Sa shumë jam prekur, pasi prej shumë kohësh jam pa lajme nga ty. Zemra ime e shtrenjtë të përket dhe jam e dëshpëruar që nuk bëra aq shumë për ta ruajtur këtë dashuri …” Dashuria e tyre në krizë duket se tashmë është në fundit e saj. Madje, Artaud bëhet xheloz meqë Genica rrinte shpesh me një nga aktorët e tjerë të trupës së Atelier. Ai i lutet të kthehet tek ai por ajo nuk pranon. E tmerron idea të lidhë jetën me një njeri të droguar. Rrugët e tyre tashmë ndahen, edhe pse Genica ndjen një lloj dëshpërimi për artistin e madh, i cili për të deklaronte: “Genica është i vetmi person me të cilën mund të them se jam vetvetja”..
Në rrugën e madhe të artit
Viti 1927 është një vit plot projekte për aktoren e Atelier. Regjisorja e parë e kinematografisë franceze, Germaine Dulac, mjaft të njohur në Amerikë, i kërkon të interpretojë në skenarin që ka shkruar Artaud “Guacka dhe Clergyman”. Nga ky film në frymën e një polari, një çast shohim fytyrën e Genica-s përmes një zari të madh prej qelqi që ka shumë dritë. Një imazh padyshim tepër impresionant për kohën. Filmi u shfaq në 9 shkurt të vitit 1928 në Paris dhe në sallë janë dhe shumë nga miqtë e tij surrealistë siç ishte dhe André Breton. Por gjatë shfaqjes meqë Artaud ishte zënë me regjisoren Dulac, surrealistët filluan të bëjnë shumë zhurmë dhe ta bojkotojnë suksesin dhe festën e filmit. Atë kohë Genica dhe Artaud banonin afër njëri-tjetrit, në Rue Bruyère dhe ai vazhdon të kërkojë të bashkohet me të. Por, Genica nuk i përgjigjet më ndjenjës së tij: “Nuk dua t’ia di më për ty. S’dua të kem asnjë kontakt dhe marrëdhënie krijuese!” – i shkruan ajo. Megjithatë ata përsëri takohen në kafenetë parisiane në Place Clichy, në Café Wepler etj. Është koha kur ajo ka rënë në dashuri me regjisorin e njohur francez Jean Gremillon. Ndërkohë Artaud e merr vesh këtë lidhje të re të saj dhe i shkruan: “ “Dikush që ka qenë gruaja ime dhe që fle me një tjetër, të padenjë për të, nuk ekziston më për mua”. E megjithatë lidhja e tyre asnjëherë nuk u shkëput. Ishte gjithnjë arti që i bashkonte. Artaud do vazhdonte t’i kërkonte të interpretonte me të në teatër apo në filma. Kështu ndodhi kur i propozoi për të interpretuar në filmin “Endërr” apo në vitin 1932 në dramën që do të vinte trupa e Atelier, “L’Antrée et Thyeste” e Senekës, në rolin e Mégère, një dramë që do të quhej më pas “La supplice de tantale”. Artaud i shkruante: «Për rolin e Mégère mendoj për ty. Nuk shoh askënd tjetër që mund ta interpretojë, pasi ky rol është diçka unike, e jashtëzakonshme. Nuk është fjala për aftësitë e tua aktoriale por për diçka shumë më tepër humane që ti e ke, dhe ti duhet ta kuptosh këtë …” Një nga rolet e para që do të interpretonte me regjisorin Jean Gremillon do të ishte në filmin “Maldone”, në vitin 1928 dhe një vit më vonë e shohim në filmin “Rojet e farit” (“Les Gradiens du phar”).
Ato vite Artaud kishte interpretuar një nga rolet më të famshme të tij kinematografike në filmin e regjisorit danez Carl Dreyer “Pasioni i Jeanne d’Arc” çka e kishte bërë të njohur në Europë dhe në Amerikë. Edhe pse e ndarë nga ai, ajo do ta ndiqte jetën e tij, pasi Artaud pësoi depresione të mëdha deri sa përfundoi në spitale psikiatrike. I shkonte ta shikonte dhe ndoshta shfaqja e saj e prehte artistin e madhe që vuante në deliret e tij midis artit dhe vdekjes. Pikerisht kur kishte dalë një periudhë të shkurtër nga spitali, ai kishte vizituar ekspozitën e hapur në Paris me veprat e Van Gogh dhe i mbyllur në shtëpi brenda tri javësh kishte shkruar një nga esetë më tronditëse jo vetëm për Van Gogh por dhe për vetë fatin e artistit të sëmurë e të handakosur në një shoqëri të tillë.
Një nga triumfet më të mëdha teatrale të Genica-s në këtë periudhë ishte roli i saj në tragjedinë “Antigona” të Jean Cocteau, i cili krijoi një sensacion në mënyrën moderne si e konceptoi këtë tragjedi, pjesë për të cilën kontribuan dhe Picasso me dekoret apo Coco Channel me kostumet. “Antigona” u bë një nga majat e artit dramatik të kohës, i përshëndetur nga Andre Gide, Paul Valery apo Raymond Duncan, i cili për një kohë, si humanist që ishte, kishte ndihmuar refugjatët shqiptarë të Luftërave Ballkanike në jugun shqiptar. Athanasiu shihej si një tragjediane e përsosur. Në revistën “Comoedia”, kritiku L. Dubech shkruante se “Nëse në këtë pjesë teatrale pati nje triumf të vërtetë njerëzor, kjo erdhi si rezultat i lojës aktoriale të Genica Athanasiu. Asnjëherë nuk do ta harroj atë zë të artë dhe drithërues”. Ndërsa kritiku tjetër Marcel Raval do të shkruante: “Zonjusha Athanasiu është vetë antigona. Kurrë nuk kam parë të identifikohet një artist me rolin si në këtë tragjedi. Madje duhet të them se nuk e imagjinoja Antigonën kaq të bukur”. Në fakt, Genica kishte punuar shumë për diksionin, theksin e saj të frëngjishtes, në mënyrë që të sillte edhe përmes zërit epokën e atmosferën e antikitetit. Dhjetë vjet pas ndarjes së tyre, në vitin 1938, në një konferencë që Artaud mbajti në Mexico mbi gjendjen e teatrit francez, duke folur për “Antigonën”, ai tha: “Nëse në këtë dramë ka vërtet një triumf njerëzor kjo është në sajë të tragjedianes Genica Athanasiu. Kurrë nuk do ta harroj atë zë të praruar, plot drithërime e mister ku ajo shkonte duke përshëndetur diellin për herë të fundit. Vaji i saj vinte përtej kohrave, si vala plot shkumë që vjen nga deti Mesdhe në një ditë të përmbytur nga dielli. Gjithë kjo i ngjan një muzike trupore që shpërndahej nëpër errësirat e akullta. Realisht, ishte zëri i Greqisë arkaike …”
Për shumë e shumë vjet Genica nuk do të kthehej në Bukuresht. Jeta e saj ishin skenat parisiane dhe sheshet e xhirimit me regjisorët më të njohur të kohës. Në vitin 1931 ajo merr shtetësinë franceze me emri Eugènie Tanase. Në vitin 1935 banonte bashkë me regjisorin Gremillon në Rue Saint Simon në Paris dhe shtëpia e tyre ishte një vend ku takoheshin shumë artistë të artit dhe të kinemasë franceze. Në Theatre de l’Atelier interpretoi një pjesë të dramaturgut Calderon, ndërsa më 1937 interpretoi rolin e Portia-s në dramën “Jules Cesar” vënë në skenë nga Charles Dullin. Tashmë ajo ishte e kërkuar ngado. Tri drama rradhazi ajo interpretoi me trupën e teatrit Pitoeff si, “Luisa”, “I eturi” «dhe “Ngjarje të ditës”. Kur Franca u pushtua nga Gjermania naziste jeta teatrale vazhdoi por nuk kishte entusiazmin dhe forcën e mëparëshme kur krijoheshin veprat e mëdha. Genica vazhdonte të jetonte me Gremillon dhe sëbashku ishin të shqetësuar për gjendjen e mikut të tyre Artaud të mbyllur në një spital psikiatrik në periferi të Parisit. Ata shkojnë ta shohin disa herë. Letrat që i shkruante Genica-s janë përçartje të dhimbëshme të një artisti të madh. Më 10 tetor 1940 ai i shkruan “Që kur më kanë mbyllur këtu e dashur, shumë herë të kam parë të revoltuar, duke kërkuar të më çlirosh nga kjo gjendje …” Më 10 nëntor ai vazhdon: “Ti Genica ke lindur nga ana e Zotit dhe çasti po afron për të ngritur armët kundër të Keqes …”. Më 24 nëntor ai i shkruan përsëri duke i kërkuar heroinë apo opium që të mund të gjejë shpëtim nga trallisjet e trupit dhe të shpirtit. “Miqtë e mi, të revoltuarit në Paris kanë marrë armët për të luftuar kundër të Keqes por si për magji ua kanë marrë fshehurazi heroinën që do më sillnit …” Fati i Artaud ishte shkruar përfundimisht.
Pas Luftës së Dytë Botërore një gjeneratë e re aktorësh u shfaq në skenat e teatrit apo në kinematografinë franceze. Ndërkohë ajo do të interpretojë role të vogla në filma të ndryshëm apo në teatër siç ishte dhe roli i nënës në dramën e Strindberg “Udha e Zonjave” (“Chemin des Dames”). Më 1950 interpreton një pjesë të Adamov; një vit më vonë luan drama të Çehov në Studio de Champs Elysées. Më 1953 e shohim në filmin e “Konti Monte Kristos” pranë aktorit në zë të asaj kohe Jean Marais, i dashuri i Jean Cocteau. Në vitin 1961 interpretoi tragjedinë “Trojanët” e Euripidit, çka do të shënonte dhe fundin e vërtetë të karrierës së saj artistike edhe pse vazhdoi të interpretonte role episodike në teatër dhe në kinematografi, madje dhe duke mos pranuar të vinte në afishe emrin e saj të vërtetë. Genica ishte shumë krenare. Në vitin 1963 ajo u tërhoq përfundimisht nga jeta artistike dhe u vendos në një Shtëpi Pensioni të Artistëve Dramatikë në Pont-Aux-Dames. Në vitin 1964 u kthye për herë të fundit në Bukuresht të shohë motrën e saj Maria, të cilës i kishte vdekur burri. Ishte një pikëtakim i dhimbshëm me vendlindjen e saj ku prindërit kishin vdekur prej kohësh. Gjendja financiare e saj kishte vite që ishte shumë e vështirë dhe një grup miqsh, regjisorë, aktorë, galeristë të pasur, ndihmuan që ajo të jetonte me dinjitet, meqë ishte vetëm dhe nuk kishte të ardhura. Jetonte me kujtimet e së kaluarës, mallin për skenat e dikurshme të teatrove ku kishte interpretuar tragjeditë antike, ku kishte luajtur Sofokliun, Euripidin, Aristofanin (“Zogjtë”), ku veç Molierit e Servantes (“Don Kishoti”), kishte interpretuar dramaturgë e famshëm të fillimit të shekullit XX me Çehov, Strindberg, Jarry, Claudel, Ibsen (“Hedda Gabler” ku interpretoi me aktorin e famshëm dhe mjaft të ri Laurent Tarzieff) Ajo vdiq nga një krizë kardiake në 13 korrik të vitit 1966, në Lagny-sur-Marne, aty ku dhe jetoi vitet e fundit të saj.
Ku është varri i aktores së famshme?
Duke kërkuar të dhëna të tjera për jetën e saj, një ditë që po përgatitesha të shkoja në Lagny-sur-Marne, ku ajo kishte vdekur, për të parë shtëpinë e saj si dhe varrin e këtij qyteti të vogël jo larg Parisit, papritur u gjenda para një shënimi të gjetur në internet: Në vitin 1999, uragani që përfshiu zonën e Normandisë por dhe të Marnes, i kishte prishur një pjesë të varrezave të Couilly- Pontaux-Dames ku gjendej parcela e aktorëve të artit dramatik të vdekur në atë zonë, meqë jo larg ishte ajo shtëpi pleqsh që mblidhte aktorët e dikurshëm. E kotë të shkoja: varri nuk ekzistonte më, as i saj dhe as i aktorëve të tjerë që flinin aty prej dekadash. Interesant të imagjinoje një grup varresh vetëm me aktorë. Ç’ndodhte vallë aty? Ata që besojnë në jetën e përtejme, padyshim mund të imagjinonin dialogjet e tyre në skenat e teatrove apo në sheshet e xhirimit, ku ishin partnerë apo të dashuruar Ç’gjetje gjeniale ti varrosje bashkë aktorët e skenës dhe të filmit, pranë e pranë, por ah, atë ditë dhjetori me një erë të tmerrshme pemët ishin shkulur dhe i kishin trazuar varret duke thyer gjithë mermerët, aq sa nuk dihej se cilët ishin eshtrat e njërit apo tjetrit. Ishte diçka e çuditëshme, pasi dukej sikur një dramë natyrore kishte dashur ti bashkonte aktorët, edhe pas vdekjes. Ishte e trishtë padyshim, por kur mendon se aktorët, artistët e letrarët jetojnë përmes veprave të tyre, madje më shumë se vetë koha fizike, kjo është më pak e dhimbshme. Kështu, Evgjenia Athanasi apo Tanasi jeton tashmë veç në rolet e filmave të saj dhe pjesëve teatrale të regjistruara apo filmat televizivë, siç ishte dhe filmi i fundit “Beqaret” me regjisorin Jean Prat në vitin 1962. Një vit më parë, qëndra e madhe kulturore franceze në Paris “George Pompidou” përgatiti një veprimtari mjaft interesante për kontributin e saj në teatrin dhe kinematografinë franceze. Po kështu dhe Rumania kishte organizuar veprimtarinë për të gjatë Festivalit të Teatrove rumune. Ndoshta ky shkrim mund të na nxisë që emri i saj të njihet më shumë në Shqipëri dhe të nxisë institucionet për një veprimtari të ardhshme.