Site icon Telegrafi

Gecaj e Sadiku vizituan Malishevën, flasin për menaxhimin e pandemisë në këtë komunë

Zëvendësministri në detyrë i Shëndetësisë, Izet Sadiku dhe ai i Punëve të Brendshme, Bajram Gecaj, kanë vizituar sot Komunën e Malishevës, ku me krerët e kësaj komune kanë diskutuar lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Kryetari i komunës Ragip Begaj, i ka njoftuar zëvendësministrat Geci e Sadiku, me gjendjen aktuale, si dhe me menaxhimin e deritanishëm.

“Që nga 12 marsi, jemi takuar dhe kemi formuar shtabin komunal emergjent dhe më pas edhe qendrën operative emergjente lokale, dhe kemi filluar me menaxhimin e situatës së krijuar. Jemi munduar që situatën ta menaxhojmë në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe për këtë i falënderoj në rend të parë qytetarët, të cilët i kanë kuptuar dhe zbatuar masat, si dhe personelin shëndetësor dhe Policinë e Kosovës, për një punë të jashtëzakonshme në menaxhimin e situatës, përkundër vështirësive që kemi pasur”, tha Begaj.

Edhe komandanti i stacionit policor, Azem Krasniqi, i informoi me punën e policisë, gjatë pandemisë dhe sidomos pas futjes në karantinë.

Sipas tij, përkundër kontakteve të shumta me qytetarë, në asnjë rast nuk është regjistruar asnjë incident me qytetarët, si dhe gjatë tërë kësaj kohe, asnjë polic nuk është infektuar gjatë kryerjes së detyrës.

“Zëvendësministrat Sadiku dhe Geci, shprehën mirënjohje për punën e komunës gjatë kësaj kohe, përderisa pranuan se ka pasur vështirësi, sidomos në sigurimin e mjeteve mbrojtëse për personelin shëndetësorë dhe zyrtarët policor”, thuhet në njoftimin e komunës.

Të dy zëvendësministrat, thanë se duhet të vazhdojnë angazhimet e përbashkëta në menaxhimin e pandemisë, sidomos tani pasi janë lehtësuar masat dhe qytetarët janë më të relaksuar. /Telegrafi/

Exit mobile version