Site icon Telegrafi

Gazetarët afganë festojnë në Prishtinë Fitër Bajramin

Festën e Fitër Bajramit e priti ndryshe këtë vit Amina Omid, gazetare nga Afganistani.

Ajo dhe pesë gazetarët e tjerë që i ka strehuar Kosova që nga janari i këtij viti, u mblodhën në Prishtinë për të festuar bashkë këtë festë.

Ndonëse ju mungojnë familjet, ndjenjën se janë sikur në shtëpinë e tyre po e shton ngjashmëria dhe traditat edhe për festën e Fitër Bajramit.

“Njerëzit e Kosovës dhe Afganistanit kanë disa ngjashmëri. Ne sikur kam dëgjuar edhe këtu gjatë festës së Bajramit vizitojmë familjen dhe shoqërinë, përgatisim ëmbëlsira, por ndryshe nga këtu ne gjithmonë festojmë edhe fruta të freskët”, tha Amina Omid, gazetare.

“Ta presim dhe ta festojmë Fitër Bajramin këtu në Prishtinë është shumë mirë. Na mungon familja, por njerëzit këtu sillen shumë mirë”, tha Rafiullah Nikzad, gazetar.

Në Kosovë thonë se po ndihen të sigurt.

“Po ndihemi të sigurt, dhe po punojmë të pavarur. Kemi mbajtur Ramazanin, dhe tash po festojmë Bajramin. Qytetarët e Kosovës janë shumë mikpritës, dhe jemi shumë të lumtur që jemi këtu”, tha Ahmad Shakr Sangi, gazetar.

“Unë jam fokusuar të mësoj gjuhën shqipe, dhe të gjejë një punë në Kosovë. Mësimi i gjuhës shqipe është prioriteti im. Ne po ndihemi shumë të sigurt në Kosovë”, tha Nimatullah Gholami, gazetar.

“Nuk po ndihem vetëm, po ndihem se jam me familje dhe shokë. Qeveria dhe familja që më ka ndihmuar të strehohem këtu janë një mbështetje e madhe”, tha Suhila Omari, gazetare.

Kosova ka strehuar gazetarët e parë afganë në janar të këtij viti në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë – Kosovë”.

Qeveria kishte miratuar një buxhet prej 30 mijë eurosh për strehimin e tyre.

Exit mobile version