Trajneri i Hajduk Splitit, Gennaro Gattusso, ka folur sot (e premte) në një konferencë shtypi para ndeshjes ndaj Shibenikut e cila do të jetë e fundit për këtë vit.
Hajduku do të përballet në udhëtim me Shibenikun të dielën me fillim nga ora 17:30 në ndeshjen e cila i takon javës së 18-të në elitën e futbollit kroat.
Sidoqoftë, në këtë përballje nuk do të jetë prezent edhe futbollisti shqiptar Leon Dajaku, i cili së bashku me Yassine Benrahou janë përjashtuar nga ekipi.
Gattuso ka folur për arsyen pse e ka marrë këtë vendim, duke lënë si faktor negativitetin e lojtarëve që sipas tij ka ndikuar në atmosferën brenda ekipit.
“Nuk u takon atyre të brengosen se kur do të luajnë. Ata duhet të jenë të gatshëm gjatë gjithë kohës. Ajo që nuk më pëlqen te lojtarët është negativiteti. Këta dy lojtarë kanë sjellë shumë negativitet”.
“Ka edhe lojtarë tjerë që janë negativë, por përderisa unë jam trajner, pavarësisht a jam për një muaj apo tre vjet, do të luajnë edhe 15-vjeçarët. Më mirë ta humb ndeshjen se dinjitetin”, ka thënë Gattuso fillimisht.
Pati shumë raportime në mediat kroate se lojtarët e Hajduk Splitit nuk po marrin pagat me rregull, por një gjë të tillë e mohoi ish-legjenda italiane.
“Pagat arrijnë me kohë në klub, rregullisht. Nëse dëshiron të largohesh nga ekipi, merr përgjegjësi, dhe mos e pyet klubin për para. Sa të jem unë trajner këtu, lojtarët duhet të derdhin gjak për këtë fanellë”, përfundoi ai./Telegrafi/