Site icon Telegrafi

Gashi, për lahutën: Kosova nuk ka mundur të bëjë asgjë

Foto: Arkiv

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka deklaruar se sfidë e vitit 2018 ka qenë funksionimi i institucioneve vartëse të MKRS-së, për të cilat tha se tashmë do funksionojnë me kode të veçanta buxhetore. Ndërsa, për lahutën ka theksuar se Kosova nuk ka mundur të bëjë asgjë sepse nuk është pjesë e UNESCO-s.

Gashi në konferencën e fundvitit me gazetarë, ka thënë se vendimi më i rëndësishëm ka qenë rritja e pagave për punonjësit e kulturës e trashëgimisë kulturore. Ndërkaq, anëtarësimin e Kosovës në programin “Evropa kreative” gjatë këtij viti, ai e ka cilësuar si mundësi të mirë për të rinjtë kosovarë.

Gashi po ashtu ka thënë se viti 2019 do të jetë viti kur teatrot e Kosovës do të kenë trajtim më të rëndësishëm me ligjin e ri për teatrot.

Ai shtoi se gjatë këtij viti u përditësua Lista e Objekteve të Trashëgimisë për Mbrojtje të Përkohshme me 1595 asete, prej tyre 28 asete të reja.

Sipas tij, këtë vit është themeluar Inspektoriati për Trashëgimi kulturore, me qëllim të parandalimit të dëmtimit të trashëgimisë kulturore.

Kampin rinor dhe krijimin e Fondit Rinor, Gashi i ka cilësuar ndër projektet më të rëndësishme të MKRS-së në fushën e rinisë.

Ai tha se gjatë këtij viti janë përkrahur 70 projekte të ndërmarrësve të rinj.

“Shumë shpejt në Kosovë do të jenë 70 biznese me ndërmarrës të rinj, të cilët veç se kanë filluar”, ka thënë Gashi. /KP/

Exit mobile version