Site icon Telegrafi

​Gashi: Letra e Gërvallës e çuditshme, i është drejtuar personit të gabuar

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi e ka quajtur të çuditshme nga kuptimi përmbajtjesor dhe procedural letrën e dërguar nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku ka njoftuar se Qeveria e Kosovës është në përgatitje të draft-statutit për Asociacionin.

Sipas Gashit, kjo letër i është dërguar personit të gabuar, ngase sipas tij Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e ka kryer punën e vet.

“Çështja e dytë me rëndësi pulitke është letra që sot ka qarkulluar. Nië letër e çuditshme nga kuptimi përmbajtjesor dhe procedural. Kjo letër dërgohet mbasi që Kosova ka mbetur jashtë procesit për anëtarësimin në KiE… Kjo letër shfaq, të paktën kjo që ka dalur publike i drejtohet personit të gabuar.

Ajo që ka dalur publike është letra që i drejtohet kryetarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e ka kryer punën e saj dhe nuk ka pse t’i thotë asgjë atij për asociacionin, sepse asociacioni nuk është e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës…Raporti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës nuk parasheh kërkesën për themelimin e asociacionit për komunat me shumicë serbe”, tha Gashi.

Lexo po ashtu Qeveria e Kosovës me draft-statut për Asociacionin frymëzuar nga FES, do ta dorëzojë në Kushtetuese

Si çështje problematike, Gashi e ka nënvizuar deklarimin se do të formohet asociacioni dhe do të dërgohet në Kushtetuese.

Sipas tij, ky veprim është politikisht the taktikisht i gabuar, që do të ndikojë negativisht në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Çështja e tretë problematike, deklarimi se do të formohet asociacioni do të dërgohet në Kushtetuese vendimi për formimin e asociacionit për komunat me shumicë serbe deri në fund të muajit. Pse është lenë deri në fund të muajit? Është ditur qe 6 muaj se mbledhja e Komitetit të ministrave do të jetë me datat 16-17…

Mendoj se është veprim politikisht dhe taktikisht i gabuar dhe humbje për Kosovën. Sepse Kosova tashmë e ka humbur mundësinë që në këtë mbledhje të Komitetit të Ministrave të merret vendim pozitiv për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, theksoi Gashi.

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, i ka drejtuar një letër presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, në të cilën ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draft për krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Sipas saj një draft i tillë i shërben në njërën anë synimit të qeverisë për të integruar komunitetet joshumicë dhe zbatimit të ligjeve të Republikës së Kosovës në të gjitha komunat./kp/

Exit mobile version