(E plotësuar) Avokati Tomë Gashi, ka folur në lidhje me rastin e Astrit Deharit, duke deklaruar se ai është mbytur me jastëk.
Avokati është shprehur se Dehari kishte ”edhe jargë, të vjella dhe katër peshqirë me gjak”, të cilat sipas tij, nuk janë analizuar kurrë.
“Kanë dashur ta mashtrojnë institutin zviceran duke i dërguar pliko, kinse me mbetje e thonjve të Astrit Deharit dhe është filmuar dosja dhe është parë që kanë dërguar pliko të thata”.
“Pasi që është kthyer rasti nga Zvicra, që pa mostra të thonjve, këta me kërkesë të prokurorit që i ka mësuar me shkrim dhe instituti e ka kthyer një përgjigje se kinse i kanë harxhuar mostrat e thonjëve Astrit Deharit pa i dërguar fare në Zvicër, do të thotë nuk kanë lejuar të kryhet ekspertizë tjetër, sepse ka mundur të gjendet ADN-ja e personave të tretë që e kanë mbajt për duarsh Astrit Deharin dhe e kanë mbytur me jastëk, i cili ka pasur edhe jargë, ka pasur edhe të vjellura që nuk i kanë analizuar kurrë, ka katër peshqira me gjak, ka 1 milion prova në qelinë e Astrit Deharit që çojnë në një konkludim, që është vrasje”, u shpreh tutje Gashi.
Ai këtë e ka konsideruar si një rast të dhimbshëm, duke thënë se është vrarë për arsye 100 për qind politike.
“Duhet të themi që në prizmin tim ky është rasti më i dhimbshëm që ka ndodhur pas luftës në Kosovë, pas përfundimit të luftës, është vrarë një djalë i ri në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, arsyet kanë qenë 100 për qind politike”, tha Gashi në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova.
“Deri më tani i kemi pasur katër prokurorë të cilët e kanë pasur rastin, që e kanë bartur prej Prizrenit në Prishtinë, prej Prokurorisë Themelore në Prizren, në Prokurorinë Speciale në Prishtinë. Disa prej tyre e kanë mbajtur rastin me vite të tëra”, është shprehur ai.