Site icon Telegrafi

Gabimet e vogla nëpër rrugët e Maqedonisë që mund t’u kushtojnë shumë

Gjobitjet më të shpeshta të pjesëmarrësve në komunikacion në Maqedoni janë për tejkalim shpejtësie, ose vozitje në situatë të dehur.

Këto janë dënime më të larta, por policia ka edhe raste tjera kur mund të shqiptojë gjoba, që për ju mund të duken majft banale, por parashihen dënime, nëse ndodhin këto shkelje, shkruan Telegrafi Maqedoni.

Prandaj, duhet të dini se disa veprime, të cilat do t’i radhitim më poshtë, nuk duhet t’i bëni në komunikacion, përndryshe do të gjobiteni.

-Boria dhe sinjali me drita, për paralajmërim.

Shoferi patjetër ta përdor borinë për paralajmërim, nëse ka rrezik sigurie në komunikacion. Por, ky sinjal zëri nuk duhet të jetë me tingëllima të intensitetit të ndryshëm. Për këtë mund të gjobiteni me 15 euro, apo 10 pikë negative.

-Ndalimi dhe parkimi

Nuk duhet ta ndaloni apo parkoni veturën tuaj në vende ku rrezikohet siguria në komunikacion e pjesëmarrësve tjerë, ose do të ishte pengesë për lëvizjen normale të komunikacionit, apo këmbësorëve, çiklistëve. Kjo do të thotë se në të gjitha këto vende publike, ku ka edhe shenja të caktuara për këmbësorë, çiklistë, etj, nuk duhet të ndaloni, ose të parkoni veturën tuaj. Për këtë mund të gjobiteni me 45 euro, apo 25 pikë negative.

-Përdorimi i dritave në komunikacion

Ditën dhe natën duhet që t’i keni të ndezura dritat e automjetit tuaj, kur jeni në udhëtim. Nëse nuk i keni ndezur, atëherë mund të gjobiteni me 15 euro, për ditën, dhe 35 euro, për natën, ose 15 pikë negative.

-Largësia ndërmjet automjeteve

Shoferi duhet që të mbajë një distancë nga vetura pararendëse, varësisht nga shpejtësia dhe rrethanat tjera në komunikacion. Për këtë mund të gjobiteni me 35 euro, apo me 20 pikë negative.

-Ulëse të posaçme për fëmijë

Në veturë, në ulësen e pasme mund të udhëtojë fëmija i moshës më pak se pesë vjeçare, por në një ulëse të posaçme, që lidhet me rrip sigurie. Për këtë mund të gjobiteni me 35 euro, nëse nuk e keni, ose me 15 pikë negative.

-Dhënia përparësi këmbësorëve në vija të bardha

Shoferi patjetër t’u jep përparësi këmbësorëve në vija të bardha, ndryshe do të gjobiteni me 200 euro

-Rripi i sigurisë

Shoferi duhet patjetër ta përdor rripin e sigurisë, ose gjobitet me 40 euro, apo 25 pikë negative. Edhe bashkëudhëtarët duhet ta përdorin rripin e sigurisë, ndryshe gjobiten me 50 euro.

-Telefoni celular

Përdorimi i telefonit celular nga shoferi gjatë vozitjes dënohet me 45 euro, apo 25 pikë negative. Edhe mjete tjera që pengojnë reagimin e shpejtë të shoferit, ndalohet të përdoren. Nëse pajisjet janë të rregulluara që të përdoren pa shfrytëzimin e duarve, atëherë lejohet përdorimi i tyre.

-Pengimi i shoferit

Personi që transportohet me automjet, nuk guxon të pengojë shoferin në mënyrë që do të ndikonte në mundësinë e reagimit për raste sigurie. Ky dënim është 50 euro./Telegrafi/

Exit mobile version