Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), sot ka inauguruar nënstacionin e ri të energjisë elektrike në Ferizaj, projekt ky që kap vlerën afro tetë milionë euro.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se inaugurimi i këtij nënstacioni është një hap i rëndësishëm që mundëson furnizim të sigurt dhe të besueshëm me energji elektrike për qytetarët në rajonin e Ferizajt.
“Ky investim jo vetëm që do të mundësojë furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm për më shumë se dymbëdhjetë mijë konsumatorët, gjithashtu do të mbështes një zhvillim të qëndrueshëm të zonës dhe do të krijojë mundësi të reja për rritjen e sektorëve të ndryshëm ekonomik”, tha Rizvanolli.
Kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Evetar Zeqiri tha se ky investim është i një teknologjie të fundit dhe do të sigurojë furnizim të pandërprerë me energji elektrike.
“Ky nënstacion është i një rëndësie të veçantë, sepse mbështet qytetarët e Komunës së Ferizaj. Ky është projekt strategjik i realizuar me përkushtim dhe vizion të të gjithë neve dhe shënon një periudhë të re në Komunën e Ferizaj, sepse do të mbështet qytetarët dhe bizneset në tërësi. Ky nënstacion kap vlerën prej rreth 7.8 milionë euro së bashku me linjën 3.31 kilometra. Ky investim është i një teknologjie të fundit dhe do të sigurojë furnizim të pandërprerë”, tha Zeqiri.
Inaugurimi i nënstacionit në Zonën Industriale në Ferizaj, i cili është me kapacitet prej 110/35/10(20) kV Ferizaj 3, do të sigurojë furnizim të qëndrueshëm për banorët dhe ekonominë e zonës së Ferizajt, Brezovicës, Shtërpcës, Kaçanikut dhe Shtimes. /Telegrafi/