Site icon Telegrafi

Fshati Llabjan probleme me rrymën qe 10 vite, KEDS thotë se nuk do rregullohet

Banorët e fshatit Llabjan të Novobërdës tash e mbi 10 vite përballen me probleme serioze me energjinë elektrike, e cila jo vetëm që është e dobët, por po u shkakton edhe dëme të mëdha në pajisjet elektrike. Pavarësisht kësaj, KEDS ka bërë të ditur se nuk ka ndonjë plan për investime në këtë zonë gjatë vitit 2025.

“Jo nuk bënë, nuk e qoj rrymën” – me këto fjalë Halil Maliqi, banor i fshatit, përshkruan gjendjen e rëndë me energjinë elektrike. Ai thotë se tash e pesë vite përballet me këtë problem, duke mos mundur të vërë në funksion pajisjet bazë si pompat e ujit.

“Krejt djegën, qe frizin tek pulat e kam dërgu, atë trafën për furnizim qe dy herë e kam ble, qe 5 vjet që jam ardhë këtu”, shprehet Maliqi, duke theksuar se edhe furnizimi me ujë për kafshët është bërë sfidë e madhe.

Arsyet e problemit

Banorët shpjegojnë se shkaktarët kryesorë të mungesës së energjisë së mjaftueshme janë:

Largësia e trafos – shtëpitë ndodhen në distancë të madhe nga trafoja që furnizon fshatin.

Kapaciteti i ulët – një trafo e vetme furnizon rreth 100 shtëpi, duke mos përmbushur kërkesat energjetike.

Në një përgjigje për televizionin Dukagjini, KEDS ka sqaruar se nuk ka paraparë investime për këtë zonë gjatë vitit 2025.

“Aktualisht, sipas planit investiv për vitin 2025, nuk parashihet të implementohet ndonjë projekt investiv në fshatin në fjalë. Megjithatë, njëjtë siç është vepruar deri më tash, KEDS do të vazhdojë të bëjë mirëmbajtjen e rrjetit aty deri në implementimin e një projekti investiv, i cili paraprakisht duhet të aprovohet nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE)”, thuhet në përgjigjen e KEDS-it.

Banorët të lodhur nga pritjet

Banorët shprehen të zhgënjyer dhe të lodhur nga premtimet dhe vonesat e vazhdueshme.

“As nuk e qo bojlerin, na e ka kallë me maqinë, na e ka kallë me televizor, s’po kemi as ku dreqi me u anku”, thotë Ragip Osmani, një tjetër banor i fshatit.

Banorët e Llabjanit shpresojnë që institucionet përkatëse të reflektojnë dhe të ndërmarrin hapa konkretë për përmirësimin e situatës, në mënyrë që të mos mbeten edhe më gjatë në terr dhe pa energji të mjaftueshme për jetesë normale./Dukagjini/

Exit mobile version