Site icon Telegrafi

Fronti Evropian do të ankohet për procesin e rivotimit në Llërcë

OBRM-PDUKM-ja nuk ka vendosur akoma nëse do të dorëzojë ankesa në KSHZ rreth procesit të votimit ose mbledhjes së rezultateve në gjashtë vendvotime në njësinë e pestë zgjedhore.

Nga rivotimi i një dite më parë, kjo parti priste të marrë një deputet më shumë në njësinë e pestë por kjo nuk ndodhi.

Nga ana tjetër, Fronti Evropian është duke përgatitur ankesa për votimin e një ditë më parë në Llërcë.

Pas rivotimit, koalicioni humbi një mandat në zonën gjashtë, i cili shkoi në adresë të VLEN-it. Megjithatë, Fronti Evropian vlerëson se ka pasur parregullsi për të cilat do të ankohet në KSHZ.

Partitë dhe subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje kanë afat 48 orë për ankesa në KSHZ.

Pas rivotimit në një vendvotim në Llërcë të Zhelinës, Fronti Evropian humbi një deputet nga rezultatet e 8 majit kurse VLEN fitoi një deputet më shumë.

Kurse rivotimi në gjashtë vendvotime në njësinë e pestë zgjedhore nuk përmbysi rezultatin e 8 majit.

Me këtë, OBRM-PDUKM-ja mbetet me 58 deputetë, Fronti Evropian dhe Koalicioni “Për Të Ardhme Evropian” janë me nga 18 deputetë, VLEN ka 14 deputetë kurse ZNAM dhe “E Majta” kanë nga 6 deputetë.

118 deputetë kanë marrë certifikatat kurse 2 të tjerë do të certifikohen pasi të mbyllen të gjithë afatet e ankesave rreth zgjedhjeve.

Kreu i Kuvendit Jovan Mitrevski njoftoi se në koordinim me të gjitha partitë parlamentare të dala nga zgjedhjet e fundit, caktoi seancën konstituive të përbërjes së re të Kuvendit për më 28 maj. Seancën do ta drejtojë deputetja më e vjetër, Merita Kollçi Koxhaxhiku.

Pas konstituimit, partia që formon shumicën duhet të marrë mandatin për formimin e qeverisë së re. OBRM-PDUKM-ja beson se kjo do të ndodhë në gjysmën e dytë të muajit qershor. Deputeti Antonio Milloshoski, njoftoi sot në rrjetin X se qeveria e re pritet të formohet deri më 20 qershor, me shumë gjasë, mes OBRM-PDUKM-së, VLEN-it dhe ZNAM-it./Alsat/

Exit mobile version