Site icon Telegrafi

Franca do të dërgojë edhe 12 Howitzers në Ukrainë

Franca do të dërgojë edhe 12 howitzers në Ukrainë duke shtuar 18 të tjerave që deri më tani Parisi ia ka dorëzuar Kievit, njoftoi të martën ministri francez i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu.

Duke folur në një konferencë shtypi në Paris së bashku me homologun ukrainas, Oleksii Reznikov, Lecornu tha se Danimarka ka shprehur dëshirën për t’i dërguar 19 Howitzers të prodhimit francez.

Ministri francez tha se një tjetër prioritet është trajnimi i trupave ukrainase dhe se 2000 prej tyre do të stërviteshin në Francë.

Lecornu zbardhi planin e ri të trajnimit të ushtrisë ukrainase, ku do të përfshihet edhe ushtria polake, raporton cnn.

“Unë mund të konfirmoj se 150 ushtarë francezë do të shkojnë në Poloni në fund të shkurtit për të trajnuar batalionet në bashkëpunim me Poloninë”, tha ai.

Kur u pyet nëse Franca do t’i dorëzonte Ukrainës aeroplanë luftarakë, ministri i mbrojtjes tha se nuk përjashtohet mundësia, por se çdo kërkesë duhet të përmbushë tre kritere: kërkesë për armë nuk duhet të zvogëlojë aftësitë mbrojtëse të vetë Francës; armët duhet të jenë të dobishme dhe të përdorshme në terren; dhe se ato përdoren vetëm për objektiva mbrojtëse.

“Ne diskutuam platformën [ajrore] sepse është e domosdoshme që të forcojmë aftësitë tona për të mbrojtur hapësirën tonë ajrore”, tha Reznikov.

“Unë jam optimist dhe mendoj se do të jetë shumë shpejt”, tha ministri ukrainas i mbrojtjes, duke shtuar “një vit më parë kur isha në Uashington, DC, kërkova stinger [raketat] dhe përgjigja ishte ‘Është e pamundur Oleksii!’ dhe tash u bë e mundur”, përfundoi ai. /Telegrafi/

Exit mobile version