Një zëdhënës i Elysee ka konfirmuar se presidenti francez, Emmanuel Macron, do të jetë nikoqir i një takimi me liderët evropianë për Ukrainën nesër në Paris.
Kryeministri britanik Keir Starmer do të jetë i pranishëm, si dhe liderët e Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Spanjës, Danimarkës dhe Holandës.
Është konfirmuar gjithashtu se presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte do të marrin pjesë, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, ky takim vjen pasi u raportua se Evropa do të konsultohej por nuk do të ishte pjesë e tryezës për përfundimin e luftës Rusi-Ukrainë.
Figura të larta të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, do të takohen me negociatorët rusë në Arabinë Saudite në ditët në vijim.
Zyrtarët amerikanë thanë se Ukraina ishte gjithashtu e ftuar – megjithëse presidenti Volodymyr Zelensky thotë se vendi i tij nuk ka marrë një ftesë të tillë. /Telegrafi/