Site icon Telegrafi

Fotografi i ballinave të New York Times mes lotësh tregon përjetimet dhe kujtimet e tij gjatë luftës në Kosovë

Wade Goddard, fotograf i ballinave të New York Times është kthyer në Kosovë pas 23 vjetëve.

Në Abri, Goddard ka takuar të mbijetuar të masakrës të cilën në vitin 1998 e dëshmoi para botës me fotografitë e tij.

Goddard, flet për punën e tij në dokumentimin e ngjarjeve të luftës në Kosovë, që nga sulmi ndaj familjes Jashari në Prekaz, e deri tek arritja e lirisë së Kosovës.

Goddard, kujton pashmangshëm një qëndrim në Drenicë, ku thotë se takoi themeluesin e Ushtrisë së atëhershme Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.

“Nuk e dija që fotografova Adem Jasharin”, shprehet ai.

Goddard sot jeton në Kroaci, ku ka të hapur një muze fotografish.

Vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës mbi 25 vjet më parë, ai i dokumentoi në librin e tij “Lufta e Kosovës”, i cili u publikua në vitin 2018.

“Gentiana 7 vjeçe dhe Donjeta Deliu 5 vjeçe u ekzekutuan bashkë me nënën e tyre mëngjesin e 26 shtatorit në fshatin Abri… Forcat serbe qëlluan gra dhe fëmijë nga afër, derisa ata përpiqeshin të iknin”, është një pjesë e përshkrimit që Goddard i vuri njërës prej fotografive që dokumenton një ngjarje të ’98-ës.

Videon e ka shpërndarë kryeministri Albin Kurti./Telegrafi/

Exit mobile version