Site icon Telegrafi

Formacioni më i mirë i javës së tretë në Superligën e Kosovës në futboll

Kanë përfunduar katër sfidat e javës së tretë në elitën e futbollit kosovar, apo siç njihet ndryshe si Superliga e Kosovës.

Edhe në xhiron e tretë janë zhvilluar vetëm tri sfida, pasi u shty për një termin tjetër ajo mes Prishtinës dhe Dritës.

Derbi i javës u zhvillua në Gjilan, ku Gjilani dhe Ballkani luajtën pa gola 0-0, ndërsa Trepça ’89 mori pikët e para pasi mposhti Llapin me rezultat minimal 1-0.

Një ndeshje shumë interesante është zhvilluar mes rivalëve rajonal Feronikeli – Drenica e që përfundoi në barazim 2-2.

Arbëria ka vazhduar me lojëra të mira, pasi ka triumfuar në udhëtim 0-3 te Besa e Pejës duke marrë kryesimin në Superligë.

Telegrafi ka zgjedhur 11 më të mirët e javës së tretë në Superligë, ku natyrisht pesë lojtarë vijnë nga derbi i javës mes Gjilanit dhe Ballkanit.

Portieri:

Enea Koliqi

Enea Koliqi ka qenë shpëtimtar i Gjilanit në disa raste, pasi portieri shqiptar bënte mrekulli në portë. Koliqi priti tri raste të Meriton Korenicës, teksa fatin e mesfushorit rahovecian përballë 34-vjeçarit e patën edhe yjet tjera të Ballkanit si Daku, Krasniqi e Baftiu.

Mbrojtja:

Edhe kësaj radhe vjen me tre, duke parë lojën e mirë që bënë mesfushorët dhe sulmuesit.

Arbër Pira ishte i pandalshëm për Arbërinë në duelin ndaj Besës së Pejës. Mbrojtësi mitrovicas bëri punë të madhe në mbrojtje, por edhe në fazën ofensive për ekipin e tij.

Arbër Pirra

Arbër Prekazi ka qenë lider i padiskutueshëm në mbrojtjen e Ballkanit. Mbrojtësi mitrovicas ishte në nivel të detyrës ndaj Gjilanit duke ndalur sulmuesit kundërshtar.

Happy Mashau

Ne mbrojtje zë vend edhe talenti afrikan i Trepçës ’89, Happy Mashau i cili ishte i pakalueshëm ndaj Llapit. Afrikani bëri paraqitje brilante në këtë takim, duke dominuar përballë sulmuesve të rrezikshëm llapjanë.

Mesfusha:

Shumë e ngjeshur vije këtë javë mesfusha, me qendrorët që ishin të jashtëzakonshëm.

Besar Musolli u rikthye pas tetë viteve në futbollin kosovar, por ai ka qenë më i miri te Gjilani përballë super mesfushorëve të Ballkanit. Musolli tregoi formë të lartë në këtë takim, teksa bëri thuajse të gjitha pasimet dhe ndërhyrjet e sakta.

Besar Musolli

I jashtëzakonshëm në rikuperimin e topave ishte edhe Kushtrim Gashi i Ballkanit, i cili është motor i kësaj skuadre. Gashi edhe në përballje ndaj Gjilanit tregoi formë të lartë në repartin defensivë të klubit nga Suhareka.

Kushtrim Gashi

Muharrem Jashari ka qenë njeriu kryesor te 89-shi, pasi dominoi ndaj Llapit dhe dha asistimin fantastik në golin e fitores minimale të ‘Minatorëve’ 1-0.

Në krahun e djathtë është Edison Kçiku i Gjilanit, i cili më në fund ka luajtur në pozitën e tij natyrale.

Kçiku ishte fantastik në krahun e djathtë të sulmit, pasi e kalonte me shumë lehtësi njërin nga mbrojtësit e majtë më të mirë në Kosovë siç është Arbër Potoku. Talenti gjilanas i afrua edhe dy herë golit, por njëherë gjuajtja e tij shkoi jashtë ndërsa në të dytën u largua nga vija fatale e portës. Mezani duhet ta inkuadrojë rregullisht lojtarin në pozitën natyrale të tij, pasi ndeshja ndaj Ballkanit tregoi qartë që Edi ka talent dhe Gjilani duhet ta shfrytëzojë më mirë atë.

Edison Kçiku

Agon Llugiqi e hapi serinë e golave për Arbërinë, por bëri edhe një ndeshje të madhe ndaj Besës. Mesfushori anësor ishte i pandalshëm në këtë sfidë duke dhënë kontribut të madh në fitoren e dytë kampionale të klubit nga Dobraja.

Sulmi:

Almedin Murati ka qenë i jashtëzakonshëm për Drenicën në duel ndaj Feronikelit. Sulmuesi nga Tërnoci shënoi dy gola të bukur për t’i dhuruar një pikë të artë skuadrës së tij nga udhëtimi në Drenas.

Almedin Murati

Vendimtar me golin e tij ka qenë edhe Arb Manaj, për Trepçën ’89. ‘Bomberi’ kosovar edhe këtë edicion po vazhdon me formë të lartë, teksa shënoi një gol të vlefshëm pas asistimit nga Jashari për t’i dhuruar fitoren e parë kampionale 89-shit.

Trajneri i javës:

Shpëtim Idrizi padyshim që e meriton epitetin e trajnerit të javës, pasi shkaktoi befasi. Llapi ishte favorit në letër, por 89-shi bëri një lojë të madhe dhe në 30 minutat e fundit luajti me një futbollist më pak në fushë. Megjithatë trajneri Idrizi e kishte përgatitur shumë mirë skuadrën e cila shkaktoi befasi duke e mposhtur Llapin 1-0, por edhe duke treguar një lojë shumë të mirë ekipi mitrovicas. /Telegrafi/

Exit mobile version